Të paktën gjashtë persona humbën jetën gjatë shembjes së një ndërtese në Kajro

Të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën sot në Kajro gjatë rrëzimit të një ndërtese gjashtëkatëshe, njoftuan autoritetet egjiptiane.

Ekipet e shpëtimit po bëjnë kërkimet nën rrënoja, ndërsa tani për tani nuk është e njohur se çka ka shkaktuar rrënimin e objektit.

Autoritetet besojnë se një familje gjashtëanëtarësh ka qenë në ndërtesën kur ajo është rrënuar mëngjesin e sotëm. Ndërtesa pranë ka mbetur pa pjesën e jashtme të murit.

Rrënimi i ndërtesave është punë e zakonshme në Egjipt për shkak të ndërtimit të dobët dhe mirëmbajtjes joadekuate në mjediset e varfra dhe rurale.

Qeveria ka tentuar të përballet me ndërtimet e egra në vitet e fundit, pas zbatimit të keq të ligjit me dekada, por ende ka lagje në Kajro me ndërtesa ilegale.