Të paktën 77 emigrantë u mbytën në një anijethyerje në brigjet e Sirisë

Të paktën 77 emigrantë u mbytën në brigjet e Sirisë pasi një varkë që lundronte nga Libani u fundos, tha sot ministri sirian i Shëndetësisë, Hasan al Gabash.

Rreth njëqind e pesëdhjetë njerëz, kryesisht libanezë dhe sirianë, ishin në varkën që u mbyt pranë qytetit  Tartus.

“Numri i viktimave arriti në 77, dhe 20 persona u akomoduan në spitalin “Al Basel” në Tartus, sqaroi ministri sirian.

Gjatë muajit të kaluar, mijëra libanezë, sirianë dhe palestinezë janë larguar nga Libani dhe kanë kaluar detin për në Evropë.

Rreth gjashtë milionë njerëz jetojnë në Liban, duke përfshirë më shumë se një milion refugjatë sirianë. Mbi tre e katërta e popullsisë jeton në varfëri për shkak të krizës ekonomike në vend që nga viti 2019.