Taravari: Shumë shpejtë do të finalizojmë bashkëpunimin me VMRO-në në zgjedhjet lokale

Shkup, 19 gusht – Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari, sot ka zyrtarizuar bashkëpunimin ose negociatat për bashkëpunim me VMRO-DPMNE-në në zgjedhjet lokale.

Ai përmes një konference për media, ka bërë të ditur se koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, kanë qenë të detyruar të fillojnë bisedimet për bashkëpunim me VMRO-DPMNE-në, pasi të njejtën e bënë BDI dhe LSDM.

Siç njofton Taravari, ASH/AAA i kanë kërkuar BDI-së që të konkurojnë veta vetë në zgjedhjet lokale, por pas zyrtarizimit të bashkëpunimit BDI-LSDM, opozita shqiptare filloi negociatat me VMRO-në, raporton Zhurnal.

“Ne disa herë, dy tre muaj më herët i kemi ofruar BDI-së që në raundin e parë të garojmë veta vet, dhe në raundin e dytë të mendojmë për kombinime të caktuara.Ju jeni të informuar se para dy tre javësh një fotografi e përbashkët e z.Ahmetit dhe z.Zaev ku treguan se në disa vende në raundin e parë do të garojnë bashkë e në disa vende në raundin e dytë. Si kundërpërgjigje ndaj ksaj nuk na mbeti gjë tjetër përveç që edhe ne të mendojmë për bashkëpunim me VMRO-DPMNE-në. Sinqerisht kemi pasur kontakte, jemi duke negociuar dhe jemi duke përfunduar negociatat dhe sipas të gjitha gjasave, Aleanca dhe Alternativa së bashku do të kenë bashkëpunim në disa komuna në raundin e parë në disa komuna në raundin e dytë. Në bazë të vlerësimeve ku ka arsye dhe matematika që na bashkojnë për t’i fituar komunat. Qëllimi është shumë fisnik që të bëhet ndryshimi. Mendoj se me kësi lloj kombinimesh si kundërpërgjigje ndaj asaj që ndodhi mes LSDM-së dhe BDI-së, shpresoj se do t’i fitojmë një pjesë dërmuese të komunave në Maqedoninë e Veriut”, deklaroi Taravari sot në konferencë për media.

Sa i përket komunës së Kërçovës, Taravari paralajmëron nxjerjen e një kandidati në këtë komunë, ndërsa sa i përket përçarjes së votës shqiptare, ai shprehet se vota e shqiptarëve tanimë është përçarë në Kërçovë pasi kemi zyrtarisht dy kandidatë.

“Për Kërçovë nuk kemi ende një vendim, por siç e dini, tani ka të shpallur dy kandidatë. Njëri është kandidat i BDI-së, tjetri është kushëriri i Ali Ahmetit. Ne s’kemi vendosur, por mendojmë për kandidaturën tonë, pasi ta shpallnim ne kandidaturën e dytë, do të thonin se ne e përçajmë votën shqiptare, tash votën e shqiptarëve nuk e përçan Aleanca dhe Alternativa, por tash vota e shqiptarëve është e përçarë atje”, tha Taravari./Zhurnal.mk

https://www.facebook.com/tv21hd/posts/2351059901690867