Taravari: Komisioni Evropian e vlerësoi punën e Qeverisë me notën 2

Shkup, 21 tetor – Një javë pas publikimit të raportit të progresit, Aleanca për Shqiptarët vlerëson se kryefjala e këtij raport progresi është korrupsioni. Sipas Arben Taravarit, ushtrues detyre kryetar i ASH-së, fjala korrupsion shfaqet në raport 67 herë, duke konfirmuar atë që është thënë në vazhdimësisë korrupsioni në Maqedoninë e Veriut gjatë qeverisjes LSDM-BDI ka arritur nivele alarmante dhe të papara deri më tani. “Klasteri i parë Bazat e procesit të anëtarësimit ku hyjnë, ndër tjera lufta kundër korrupsionit dhe shteti i së drejtës dhe që është klasteri kryesor dhe më i rëndësishmi në negociatat për anëtarësim në BE. Këtu, gjendja është alarmante dhe lirisht mund të konkludojmë se qeveria ka dështuar me një notë mesatare dysh. Ngecjet kryesore kanë të bëjnë me reformën e administratës publike, lirinë e shprehjes, prokurimin publik dhe kontrollin financiar. Por progresi është vlerësuar i mangët thuajse në secilën fushë me vetëm një përjashtim; statistikat, që është edhe ironike kur merret parasysh rrjedha e procesit më të rëndësishëm statistikor gjatë vitit që po e lëmë pas, atë të regjistrimit të popullsisë. Pra, qeveria nuk ka treguar vullnet për t’u marrë seriozisht as me funksionimin e gjyqësorit, të drejtat themelore, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, prokurimit publik dhe kontrollit financiar”, tha Taravari.

Më tej Taravari tha se klasteri i dytë për tregun e brendshëm gjithashtu tregon për shumë ngecje dhe qeveria përsëri kalon me notë dysh. “Këtu thuajse gjithçka është problematike përfshirë liria e lëvizjes së mallrave, punëtorëve dhe shërbimeve, por edhe politika e konkurrencës dhe pronësia intelektuale. Pra, kjo qeveri që merr pjesë në Ballkanin e Hapur dhe synon të zbatojë katër liritë e lëvizjes, është penguese e zbatimit të tyre me Bashkimin Evropian dhe si duket më e orientuar nga Beogradi e jo nga Brukseli. Në mënyrë krejt anekdotike, fusha e vetme ku kjo qeveri ka arritur progres është në fushën e lëvizjes së lirë të kapitalit, që shumëkush do të thoshte lëvizja e lirë e pasurive të politikanëve të korruptuar, sepse bizneset e qytetarëve po falimentojnë një nga një për shkak të paaftësisë së këtij pushteti”, deklaroi kreu i ASH-së. Sipas tij, prioriteti i prioriteteve në negociatat për BE është shteti i së drejtës, përfshirë lufta kundër krimit dhe korrupsionit, drejtësia funksionale dhe reforma e administratës publike, fusha këtu ku qeveria ka ngelur sipas Raportit të Progresit“Kjo qeveri është pengesa kryesore në përparimin e vendit në rrugën drejt BE-së, pasi nuk ka vullnet politik për t’iu qasur me seriozitet reformave. Përveç zvarritjes së procesit integrues, kjo qasje e qeverisë po u kushton shtrenjtë qytetarëve të cilët në mënyrë të drejtpërdrejtë përballen me varfërinë, padrejtësinë, krimin dhe korrupsionin, gjyqësorin e partizuar dhe fatkeqësisht, në fund,zgjidhjen e vetme e shohin te largimi nga vendi”, nënvizoi Taravari.

Ai në fund tha se për të ndryshuar këtë gjendje, duhet një mobilizim i gjithmbarshëm shoqëror i qytetarëve dhe i gjitha forcave progresive, për të sjell një qeveri reformatore dhe që do jetë e fokusuar në ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe një sistem të drejtë dhe bararabart, ku askush nuk është mbi ligjin dhe shteti u kthehet qytetarëve

https://www.facebook.com/arbentaravari.mk/videos/521622282693216