Talebanët urdhëruan ministritë të vendosin hixhab të detyrueshëm për gratë

Policia fetare talebane ka urdhëruar ministritë dhe organet e tjera qeveritare në Afganistan të sigurojnë që të gjitha gratë e punësuara të mbajnë hixhab, t’i dëbojë ato të cilat nuk mbajnë dhe t’i ndalojnë gratë që pa mbuluar kokën të hyjnë në objekte qeveritare, lajmëroi DPA.

Agjencia gjermane e citon Sadik Akif Muhaxhirin, zëdhënësin e Ministrisë së Përhapjes së Virtytit dhe Parandalimin e Veseve, i cili theksoi se ky udhëzim deri më tani u është dërguar tetë organeve qeveritare.

Përveç kësaj, zyrat qeveritare kanë marrë instruksione se të punësuarit burra dhe gra duhet të kenë hapësira të veçanta pune dhe se të punësuarit burra duhet të falen gjatë punës.

Udhëzimi kërkon të ndalohet punësimi i të miturve dhe burrave pa mjekër.

Lajmi vjen pasi Ministria i urdhëroi shoferët e taksive të mos marrin gra të cilat nuk mbajnë hixhab apo nuk janë të shoqëruara nga ndonjë i afërm mashkull, lajmëroi DPA.

Muajin e kaluar, policia fetare talebane përmes posterave në vitrina dhe bilbordeve kërkoi që gratë të mbulohen. Posterave tregonin hixhab dhe burkë.