Talat Xhaferi në Konferencën e spikerëve të parlamenteve të BE-së në Bërdo afër Kranjit

Shkup, 28 mars – Në organizim të Kuvendit Nacional të Republikës së Sllovenisë a në kuadër të kryesimit slloven me Këshillin e BE-së, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, do të marrë pjesë në Konferencën e kryetarëve të parlamenteve të BE-së, që mbahet më 28 dhe 29 mars 2022 në Bërdo afër Kranjit. Në këtë eveniment do të marrin pjesë kryetarët e parlamenteve të vendeve anëtare të BE-së, të vendeve kandidate dhe partnerëve të Parlamentit Evropian.

Siç kumtojnë nga shërbimi për shtyp i Kuvendit, me fjalime të veta konferencën do ta hapin presidenti i Republikës së Sllovenisë, Borit Pahor, kryetari i Kuvendit nacional të Republikës së Sllovenisë, Igor Zorçiç, kryetari i Këshillit nacional të Republikës së Sllovenisë, Alojz Kovshca dhe kryetarja e Parlamentit evropian, Roberta Mecola.

Diskutimi është ndarë në dy panele: Për rolin e parlamenteve në zbatimin e politikave të gjendjes së jashtëzakonshme dhe mënyrave të ndërtimit të rezistencës dhe mbrojtjes së qeverisjes demokratike, si edhe për rolin e Bashkimit Evropian si garantues i stabilitetit, sigurisë dhe prosperitetit në rajon dhe në fqinjësinë më të gjerë. Kryetari Xhaferi është i ftuar nga ana e kryetarëve të vendeve anëtare të BE-së të drejtohet si folës hyrës në panelin e dytë.

Në margjinat e Konferencës, Kryetari Xhaferi do të realizojë takime bilaterale me nënkryetaren e Asamblesë Nacionale të Republikës Franceze, Laetita Sen-Poll, me Kryetarin e Kuvendit Nacional të Republikës së Bullgarisë, Nikolla Minçev dhe Kryetarin e Kuvendit Nacional të Republikës së Sllovenisë, Igor Zorçiq.