Takimi i Procesit të Berlinit| Bregu: Bashkëpunimi nuk është zgjedhje, domosdoshmëri
Sarajevë, 1 tetor – Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Majlinda Bregu, mori pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit që u zhvillua sot në kryeqytetin gjerman.
Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, vlerësoi punën e RCC-së dhe Sekretares së saj të Përgjithshme, Majlinda Bregu, duke theksuar kontributin thelbësor në zbatimin e Tregut të Përbashkët Rajonal.
“Duke bërë bilancin e 10 viteve të Procesit të Berlinit, mund të them se ka shumë për të qenë krenar për arritjet konkrete përmes agjendave tona të bashkëpunimit rajonal. Fluksi i pandërprerë i mallrave kritike gjatë pandemisë dhe më tej, korsitë e gjelbra që janë tashmë realitet jo vetëm brenda Ballkanit, por janë zgjeruar edhe me BE-në; dyfishimi i vëllimit të tregtisë brenda rajonit për mallrat në 5 vite; rritja prej 500% e përdorimit të roaming brenda Ballkanit Perëndimor; afro 1,200 kompani të reja kanë marrë pjesë në tregtinë brenda rajonit; lehtësimi i lëvizjes së fuqisë punëtore dhe trajtimi i dinamikave në ndryshim të tregut të punës dhe zhvendosjeve demografike me njohjen reciproke të kualifikimeve të arsimit të lartë dhe të shtatë profesioneve. Të gjitha këto, të njohura dhe të panjohura, kanë bërë që 82% e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor të mbështesin bashkëpunimin rajonal,” tha Bregu në takim.
Bregu theksoi se RCC, së bashku me partnerët, është duke punuar në planin e ri të të Tregut të Përbashkët Rajonal, miratimi i të cilit pritet në Samitin e Procesit të Berlinit më vonë këtë muaj.
“Bashkëpunimi rajonal nuk duhet të jetë vetëm për nënshkrimin e marrëveshjeve, por për zbatimin e plotë të angazhimeve. Nuk mjafton të drejtojmë gishtin ose të presim që të tjerët të udhëheqin. Ka hapësirë që të gjithë të bëjnë më shumë. Ky është një udhëtim kolektiv nëse duam të sjellim ndryshime të vërteta dhe të qëndrueshme. Bashkëpunimi nuk është një zgjedhje, por një domosdoshmëri! Ia kemi borxh vetes dhe brezave të ardhshëm,” përfundoi Bregu.
Pas takimit, Ministrat e Jashtëm të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor lëshuan një deklaratë mbi përforcimin e bashkëpunimit, duke vlerësuar arritjet në agjendat e koordinuara nga RCC për CRM.
Ata ranë dakord për Deklaratën e Përbashkët që riafirmon marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimin rajonal, që pritet të miratohet në Samitin e Berlinit më vonë këtë muaj.