Takime të shumta të presidentit Pendarovski në Davos, falenderime për mbështetjet euroatlantike

Davos, 24 maj – Presidenti Stevo Pendarovski në suaza të Forumit ekonomik botëror në Davos, sot realizoi takime të shkurta me kryeministrin e Mbretërisë së Spanjës, Pedro Sançez, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me princin Alojz nga Lihtenshtajni dhe me politikanin amerikan dhe ish-nënpresidentin amerikan, Al Gor.

Presidenti Pendarovski, siç kumtoi kabineti i tij, në takim me kryeministrin spanjoll Pedro Sançez u falënderua për mbështetjen parimore të Spanjës për eurointegrimet e vendit tonë dhe shprehi gatishmëri për nxitjen e mëtutjeshme dhe zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Gjatë bisedimeve është cekur se është e domosdoshme të vazhdojë politika e zgjerimit të BE-së në interes të stabilitetit, sigurisë dhe prosperitetit të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Në takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti i riafirmuan angazhimet e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës për thellimin e bashkëpunimit bilateral në të gjitha sferat e interesit të përbashkët, me qëllim të përforcimit të mëtejmë të marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Në takimin me princin Alojz nga Lihtenshtajni është biseduar për ngjarjet aktuale në Evropë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Në kontekst të masave të cilat ndërmerren për zbutjen dhe përballjen me pasojat ekonomike nga lufta në Ukrainë, presidenti Pendarovski dhe princi Alojz, këmbyen mendime edhe për ngjarjet rrjedhëse dhe efektet ndaj ekonomive në Asociacionin evropian për tregti të lirë (EFTA), ku Lihtenshtajni është vend-anëtar.

Në takim me politikanin amerikan dhe ish-nënpresident i SHBA-së, Al Gor, u këmbyen mendime për politikën e jashtme të SHBA-së dhe Maqedonisë së Veriut përmes prizmës së ngjarjeve aktuale në Evropë dhe botë, si dhe për nevojën e intensifikimit të marrëdhënieve transatlantike. Presidenti Pendarovski theksoi se mbështetja dhe ndihma nga SHBA-ja si aleatë të NATO-s dhe partnerë strategjik të vendit, janë me rëndësi kyçe për stabilitetin, sigurinë dhe përforcimin e proceseve demokratike në rajon.

https://www.facebook.com/SPendarovski/posts/567100038114244