Takime bilaterale në kuadër të Samitit Kinë – Azi Qendrore
Presidentët e vendeve të Azisë Qendrore kanë mbërritur në Xian të Kinës Veriperëndimore për të marrë pjesë në Samitin Kinë-Azi Qendrore . Në këtë kuadër, presidenti kinez Xi Jinping ka zhvilluar një sërë takimesh bileterale.
Kina është e gatshme të bashkëpunojë me Kirgizistanin në të gjitha fushat dhe të kontribuojë në zhvillimin dhe gjallërimin e të dy vendeve, tha të enjten presidenti kinez Xi Jinping gjatë bisedimeve në Xian me homologun e vet nga Kirgizistani Sadyr Japarov, i cili gjendet në Kinë për Samitin Kinë-Azi Qendrore dhe për të bërë një vizitë shtetërore.
Xi i shprehu mirëseardhjen Japarovit në Kinë dhe theksoi se të dy takimet e tyre vjet sollën marrëveshje të rëndësishme të përbashkëta për marrëdhëniet Kinë-Kirgizistan dhe bashkëpunimin në fusha të ndryshme. Ai vuri në dukje se këto marrëveshje të përbashkëta po zbatohen efektivisht, duke u dhënë impuls të fortë marrëdhënieve dypalëshe.

Duke vënë në dukje se marrëdhëniet e Kinës me Kirgizistanin kanë bërë një udhëtim 31-vjeçar, Xi theksoi se Kina është e gatshme të punojë me Kirgizistanin për të formuar një bashkësi me të ardhme të përbashkët të fqinjësisë së mirë dhe begatisë së përbashkët Kinë-Kirgizistan
Gjatë bisedimeve me presidentin taxhikistanas Emomali Rahmon në Xian të provincës Shaanxi të Kinës Veriperëndimore, Xi vuri në dukje se, që kur Kina dhe Taxhikistani vendosën lidhjet diplomatike, niveli i marrëdhënieve dypalëshe është ngritur nga fqinjësia e mirë në partneritet strategjik dhe pastaj në partneritet të gjithanshëm strategjik.
Xi kujtoi vizitën e vet shtetërore në Taxhikistan në vitin 2019, gjatë së cilës të dy presidentët njoftuan së bashku krijimin e një bashkësie Kinë-Taxhikistan me zhvillim dhe siguri të përbashkët, që ka pasur përparim “inkurajues” gjatë katër vjetëve të fundit.
Marrëdhëniet Kinë-Taxhikistan gëzojnë rrënjë të thella historike, themele të forta politike, bashkëpunim konkret dhe mbështetje të gjerë publike, theksoi Xi
Kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping dhe presidenti i Uzbekistanit Shavkat Mirziyoyev zhvilluan bisedime të enjten pasdite në Xian. Mirziyoyev-i ndodhet në Kinë për të marrë pjesë në Samitin Kinë-Azi Qendrore dhe për një vizitë shtetërore.

Gjatë bisedimeve, Xi shprehu mirëpritjen për vizitën e Mirziyoyev-it në Kinë dhe për pjesëmarrjen në samit.
“Në shtator të vitit të kaluar, kur bëra vizitën shtetërore në vendin tuaj, u mirëprita ngrohtësisht e miqësisht, gjë që është ende e freskët në kujtesën time. Pak kohë më parë, Uzbekistani zhvilloi me sukses një referendum kombëtar dhe miratoi kushtetutën e re, çka ka treguar besimin e lartë dhe mbështetjen e sinqertë të popullit për zotin Mirziyoyev. Unë ju shpreh urime dhe besoj që, nën udhëheqjen tuaj, rruga e reformës dhe e hapjes e Uzbekistanit do të zgjerohet dhe ndërtimi i një ‘Uzbekistani të ri’ do të ketë arritje më të mëdha,” theksoi Xi Jinping.

