Takim Sela- Ludva: Invazioni rus në Ukrainë mbetet shqetësimi kryesor për ne dhe botën

Shkup, 17 mars – Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela sot në selinë e kësaj partie ka pritur ambasadorin e posaemëruar të Republikës së Çekisë në vendin tonë, Jaroslav Ludva.

“Biseduam për zhvillimet aktuale në vend, rajon dhe në botë. Invazioni rus në Ukrainë mbetet shqetësimi kryesor për ne dhe mbarë botën e civilizuar perëndimore. Ambasadorit Ludva i shpreha qëndrimin e Aleancës për Shqiptarët kundër ‘Ballkanit të Hapur’, të cilin e shohim si projekt për afrimin e Rusisë në Ballkan dhe si përjashtues për gjysmën e vendeve të gadishullit”, citohet të ketë thënë Sela.

Në këtë takim miqësor dhe me interes të përbashkët, siç theksohet në kumtesë, Sela e ka njoftuar ambasadorin edhe për zhvillimet në vend, ngecjen e reformave, nivelin e lartë të korrupsionit në vendin tonë si dhe problemet tjera që tangojnë në radhë të parë qytetarët, por edhe progresin e vendit në procesin integrues.