Takim i Xhaferit me kryetarin e Kuvendit të Sllovenisë, Igor Zorçiç

Shkup, 28 mars – Në margjinat e Konferencës së kryetarëve të parlamenteve të vendeve anëtare të BE-së, e cila mbahet sot dhe nesër në Bërdo pranë Kranjit, Republika e Sllovenisë, kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, realizoi takim bilateral me kryetarin e Kuvendit nacional të Republikës së Sllovenisë, Igor Zorçiç.

Siç informojnë nga Kabineti i Xhaferit, në takim u përshëndetën ngrohtë marrëdhëniet miqësore dhe vazhdimisht të shkëlqyera me Republikën e Sllovenisë dhe u shpreh falënderim i veçantë nga ana e Kryetarit Xhaferi ndaj kolegut të tij për ftesën të jetë folësi hyrës në panelin e dytë dhe për pjesëmarrjen në këtë konferencë.

“Ai e informoi kryetarin Zorçiç për ngjarjet aktuale në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me theks të veçantë në marrëdhëniet me Republikën e Bullgarisë dhe hapat e ndërmarra nga institucionet shtetërore, përfshirë edhe nga ana e Kuvendit, në lidhje me Ukrainën. Në këtë kontekst, Kryetari Xhaferi apeloi për fillim sa më të shpejtë të negociatave për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë, që i përmbushën kushtet për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian, ndërsa çështjet e hapura të zgjidhen në etapa gjatë negociatave. Ky apel ishte në drejtim të parandalimit të rënies së mëtejshme të besimit te qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Bashkimin Evropiane dhe depërtimin e palëve të treta në jetën shoqërore – politike të vendit. Kryetari Xhaferi po ashtu e informoi për Deklaratën e miratuar për mbështetjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës, me mbështetje shumë të madhe të pothuajse të gjithë deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, theksohet në kumtesë.

Kryetari Zorçiç e përshëndeti unitetin e Bashkimit Evropian dhe reagimin e shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në raport me ngjarjet në Ukrainë, sidomos harmonizimin e plotë të Republikës së Maqedonisë së Veriut me pozitat e politikës së jashtme dhe të sigurisë të Unionit.

“Si kryetar i një vendi që deri para pak kohë kryesonte me Këshillin e Bashkimit Evropian, ai theksoi se edhe krahas dallimeve që ekzistojnë ndërmjet vendeve të Unionit dhe qëndrimeve të tyre rreth temave të caktuara, është pajtim i përgjithshëm se procesi i zgjerimit doemos të lëvizë përpara me ritëm të përshpejtuar dhe tu mundësojë vendeve të Ballkanit të përparojnë në atë rrugë. Në fund shprehu shpresë se Konferenca e kryetarëve të parlamenteve të BE-së do të ketë përfundim të suksesshëm dhe se mesazhet që do të dërgohen nga e njëjta do të kontribuojnë për një Bashkim Evropian më të bashkuar, më të përforcuar dhe më të fuqishëm”, informoi Kabineti i Xhaferit.