Takim i ri dyditor i Komisionit historik midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë

Shkup, 24 shkurt – Anëtarët e Komisionit të përbashkët midis Maqedonisë së Veriu dhe Bullgarisë për çështje historike dhe arsimore sot dhe nesër në Sofje do të mbajnë takim të ri, i pari për këtë vit, në të cilin sipas paralajmërimeve do të bisedohet për vërejtjet për librat e historisë, si dhe për Goce Dellçevin.

Në seancën paraprake të 16-të, të mbajtur në fillim të dhjetorit të vitit 2021, anëtarët e Komisionit, siç kumtoi atëherë pala maqedonase në këtë trup të përbashkët nuk arritën t’i tejkalojnë dallimet në qasjen dhe kuptimin e rolit ët historisë dhe arsimit historik në shoqëritë bashkëkohore dhe ndërtimin e marrëdhënieve të mira të liruara nga politizimi i historisë.

“Qasja e bazuar në përvojat pozitive evropiane dhe rekomandimet e Këshillit të Evropës dhe UNESKO-s mbeten bazë në punën e palës maqedonase në Komision dhe rrjedhimisht edhe keqkuptimet kryesore me kolegët nga Sofja, të cilët mbeten në një qasje ekskluzive që është i huaj për të kuptuarit modern të edukimit historik që nënkupton një qasje multiperspektive dhe ndërdisiplinore. “Pas një diskutimi shterues, dita e dytë tregoi se të dyja palët janë ende larg një zgjidhjeje që do të përmirësonte procesin arsimor dhe do të arrinte qëllimin e përbashkët për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe miqësie në të cilat e kaluara dhe interpretimet e ndryshme të historisë nuk do të jenë një pengesë”, thuhet në kumtesën pas takimit.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani javën e kaluar deklaroi se nuk duhet të krijohet presion me afatet ndaj Komisionit të përbashkët historik, por qëllimi është të krijohet kontribut i besimit për zgjidhjen e çështjeve kontestuese.

Sipas Osmanit, ekspertët përpunojnë një temë, politikanët japin pikëpamje dhe orientime të tyre politike dhe kështu duhet ta kemi pasqyrën e nevojshme duke i kaluar të gjitha filtrat, me qëllim që asnjë zgjidhje të mos mbetet e parealizuar siç duhet.

“Kemi qasje që është pak më ndryshe nga ato parapake, tani kemi grupe të punës, nga të cilat katër janë sektoriale, një është Komisioni historik. Prandaj shpesh herë them se katër herë flasim për ardhmërinë, ndërsa njëherë për të kaluarën dhe kjo tregon për qasjen e re që e kemi futur në këtë cikël të ri”, deklaroi shefi i diplomacisë.

Osmani konsideron se puna e Komisionit është proces afatgjatë dhe qëllimi i tij është që ta konservojë temën, me qëllim që shoqëritë dhe politikanët të mos debatojnë për historinë dhe ato çështje historike të mos e kontaminojnë komunikimin e përditshëm bilateral.

“Kjo është cilësia më e rëndësishme e këtij Komisioni nëse ata arrijnë ta mbajnë debatin vetëm tek ta, me këtë dukshëm do t’i shndërrojnë shoqëritë që të bashkëpunojnë dhe njëkohësisht do të ketë mekanizëm ku do të tejkalohen dallimet sepse ne themi, po. duhet të tejkalohen ato dallime, por askush nuk pret se deri në një afat të caktuar komisioni historik do të japë rezultate”, theksoi Osmani.

Sipas paralajmërimeve gjatë vitit 2022 do të duhej të mbahen pesë takime të Komisionit. Deri më tani Komisioni historik ka dhënë rekomandime tek qeveritë në Shkup dhe në Sofje për festim të përbashkët të pesë personaliteteve – Car Samoili, vëllezërit Cirili dhe Metodi dhe Shën Klimenti dhe Shën Naumi i Ohrit.