Takim i delegacionit kuvendor me anëtarët e Komisionit të Bundestagut për BE

Shkup, 18 maj – Në kuadër të ditës së dytë të vizitës studimore në Bundestag, delegacioni i udhëhequr nga Kryetari Xhaferi, i përbërë nga nënkryetari i Kuvendit, Goran Misovski dhe koordinatorët Dime Vellkovski, Nikolla Micevski, Arbër Ademi, Surija Rashidi dhe Safije Sadiki Shaini, Sekretarja e Përgjithshme Cvetanka Ivanova, shefi i Kabinetit, Ilir Selmani, shërbimi i Kuvendit, ambasadorja e Zvicrës dhe përfaqësuesit e NDI-së realizuan takim me Kryetarin e Komisionit për Çështje të Bashkimit Evropian të Bundestagut, Anton Hofrajter dhe anëtarët e Komisionit.

Në takim, siç njofton pres-shërbimi kuvendor kryetari Xhaferi falënderoi për programin e shkëlqyer të vizitës studimore dhe fjalën ia dha kryetarit të Komisionit për Çështje Evropiane, Arbër Ademi, i cili i theksoi hapat e guximshëm dhe të mëdhenj që ka bërë shteti, nga reformat e brendshme deri te marrëveshjet e fqinjësisë së mirë, pranimi dhe përshtatja me metodologjinë e re, në mënyrë që pas të gjitha proceseve të përballemi me bllokadë nga Republika e Bullgarisë.

Ademi vuri në dukje zhgënjimin e qytetarëve nga rezultati dhe ngadalësimin e procesit eurointegrues, por theksoi se është i bindur se situata do të ndryshojë deri në qershor, veçanërisht duke pasur parasysh besueshmërinë e BE-së dhe rolin dhe ndikimin e saj, jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe në rajon.

Anëtarët e delegacionit Misovski, Vellkovski dhe Micevski shprehën mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që e merr Maqedonia e Veriut nga Republika e Gjermanisë në kontekstin e eurointegrimeve dhe theksuan se partitë politike në Kuvend unanimisht përpiqen dhe punojnë për të përmbushur pritjet e mbi 70 për qind të qytetarëve që mbështesin anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.

Hofrajter, siç theksohet në kumtesë theksoi se një numër i madh i vendeve anëtare të BE-së mbështesin zëshëm anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE dhe se deputetët gjermanë e njohin mirë veton e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut.

“Lufta në Rusi ka treguar se sa e rëndësishme është të mos harxhohet shumë kohë për të çuar gjërat përpara dhe i siguroi të pranishmit se Gjermania po bën gjithçka që është e mundur që zgjerimi i BE-së të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur, pasi vendet anëtare të BE-së ofrojnë shumë më tepër vende pune, treg të hapur të punës, më shumë paqe dhe të ardhme më të mirë për qytetarët e saj”, qëndron në kumtesën e Kuvendit.

Pjesëmarrësit ranë dakord se derisa Republika e Maqedonisë së Veriut është në pritje të anëtarësimit në BE, tregon virtyt përmes reformave në shumë fusha, duke filluar nga marrëdhëniet dhe marrëveshjet e fqinjësisë së mirë, duke punuar në identitetin nacional, reformat sociale dhe duke kontribuar për paqen në Evropë, duke ruajtur sigurinë e kufijve të saj.

Bashkëbiseduesit dërguan mesazh të përbashkët se pas pandemisë, luftës në Ukrainë dhe trazirave me të cilat u përballëm, BE-së i duhet një histori e suksesshme – zgjerimi me anëtar të ri.