Takim i Bozhinovskës me përfaqësues të Ambasadës gjermane me qëllim të thellimit të bashkëpunimit dypalësh

Shkup, 15 janar – Ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska sot ka realizuar takim me përfaqësuesit e Ambasadës së Gjermanisë në vend, në të cilin është biseduar për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e tranzicionit energjetik dhe përballjen me sfidat klimatike.
Siç informojnë nga MEMBM, në takim i është dorëzuar ftesa zyrtare për të marrë pjesë në Dialogun e 11-të të Berlinit për Tranzicionin energjetik, i cili do të mbahet më 18 dhe 19 mars të këtij viti.
“Gjatë takimit, ministrja Bozhinovska mori ftesë zyrtare, të cilën e kishin dorëzuar përfaqësues të Ambasadës gjermane, për të marrë pjesë në Dialogun e 11-të të Berlinit për Tranzicionin energjetik, i cili do të mbahet më 18 dhe 19 mars 2025 në Berlin. Ftesa u bë nga Ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Analena Berbok dhe Ministri për ekonominë dhe veprimin klimatik Robert Habek”, kumtojnë nga MEMBM.
Në kumtesën theksojnë se Dialogu i Berlinit për tranzicionin energjetik është një forum kryesor ndërkombëtar që mbledh së bashku përfaqësues të nivelit të lartë nga politika, industria, shkenca dhe shoqëria civile për të shkëmbyer ide dhe zgjidhje për tranzicionin global energjetik.