Tajvani në prag pushtimi/ Taipei: Stërvitjet e ushtrisë kineze kanë për qëllim sulmin

Vizita e diskutueshme e Nensi Pelosit në Tajvan mund të shkaktojë pushtimin e ishullit nga Kina. Taipei dyshon se stërvitjet ushtarake të Pekinit kanë për qëllim pushtimin e Tajvanit.
Kryediplomati i Tajvanit ka lëshuar alarmin për një pushtim të mundshëm nga ana e Pekinit.
Sipas ministrit të Jashtëm të kombit ishullor, Joseph Wu stërvitjet ushtarake të ushtrisë kineze kanë për qëllim uljen e moralit të tajvanezëve përpara një sulmi.
“Kina i ka përdorur stërvitjet në librin e saj ushtarak për t’u përgatitur për pushtimin e Tajvanit. Ajo po kryen stërvitje ushtarake në shkallë të gjerë dhe lëshime raketash, sulme kibernetike, fushata dezinformuese dhe shtrëngim ekonomik në një përpjekje për të dobësuar moralin publik në Tajvan,” tha ai.
Taipei zyrtar i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të përgatitet për të ndalur shtrirjen e autoritarizmit që mund të vijë nga shteti komunist.
Ambiciet kineze sipas kryediplomatit shkojnë përtej Tajvanit.
“Të gjitha vendet që duan liri duhet të punojnë së bashku për të eksploruar mjetet për t’iu përgjigjur zgjerimit të autoritarizmit.
Stërvitjet ushtarake të Kinës nuk janë të njëjta me ato që ata deklaruan dhe ky duhet të jetë shqetësim ndërkombëtar, ne bëjmë thirrje që të dënojnë sjelljen e papërgjegjshme të Kinës dhe kërcënimin e saj ndaj paqes dhe stabilitetit rajonal,” tha ai.
Kina nisi një stërvitje gjithëpërfshirëse ushtarake fill pas vizitës së kryetares së Dhomës amerikane të Përfaqësuesve, Nancy Pelosi në ishull.
Të martën, ushtria tajvaneze nisi stërvitjet e saj duke bërë përgatitje për një sulm të mundshëm nga ana e Pekinit.
Udhëtimi i Pelosit javën e kaluar, i cili e bëri atë zyrtarin më të lartë amerikan që vizitoi Tajvanin që nga viti 1997, shkaktoi një reagim të fortë nga Pekini, i cili e sheh ishullin si pjesë të territorit të tij.
Përveç shpalljes së stërvitjeve të tij më të mëdha ushtarake ndonjëherë në ngushticën e Tajvanit, Pekini vendosi kufizime tregtare në Taipei dhe sanksionoi kryetaren e Dhomës dhe familjen e saj.
Tajvani ka qenë i vetëqeverisur që nga viti 1949, por asnjëherë nuk shpalli zyrtarisht pavarësinë nga Pekini. Pavarësisht se zyrtarisht e njohin politikën ‘Një Kinë’, SHBA-ja mban lidhje të forta jozyrtare me ishullin prej 23.5 milionë banorësh, duke i shitur armë Taipeit dhe duke mbështetur iniciativën e tij për sovranitet.