Superstari i muzikës klasike Ermonela Jaho me koncert në Shkup

Performacë me devotshmëri të pakursyer dhe sinqeritet të jashtëzakonshëm emocional” (The Guardian), “Sopranoja e përkryer lirike: Ermonela Jaho” (ClassicsToday), “Më e mira Madame Butterfly që Londra ka parë ndër vite” (The Independent), “Transcendentale në ringjalljen e klasikëve të Puçinit” (Opera wire) – këto janë vetëm disa nga vlerësimet superlative që mediat më të njohura botërore i japin për sopranon shqiptare Ermonela Jaho. 

E kërkuar në të gjitha teatrot operistike botërore, Ermonela Jaho është mbi të gjitha e njohur për rolet e saja, si Violeta (La Traviata), Madama Butterfly, Suor Angelico (Il trittico), Liu (Turandot) dhe shumë role të tjera në të cilat lë gjurmë origjinale sa herë që i interpreton. Ajo është fituese e çmimit ndërkombëtar Muzika Vokale 2021 për albumin e saj solo “Anima Rara”. I gjithë ky sukses i saj filloi që në momentin kur ajo vendos të largohet nga Shqipëria për në Itali, merr pjesë në gara të ndryshme të këndimit dhe shumë shpejt dallohet për zërin e saj të fuqishëm. Ashtu si deklaron edhe vet sopranoja “Arrita në Itali me ëndrra të mëdhaja, por me xhepa të zbrazur”. Por, ajo që në fillim e dinte ku don të arrijë dhe thekson se “me punë të përditshme dhe ambicie që e mban zjarrin të ndezur, kam ecur në rrugëtimin drejt suksesit”. 

Edhe pse shumë e angazhuar si soprano në aktivitetet më prestigjioze operistike botërore, Ermonela Jaho pranoi që të bëjë hapjen e Edicionit të X-të të festivalit “Skena e Muzikës Serioze Shqiptare”, të organizuar nga Shoqata “Allegretto”. Ky festival, ashtu si në të kaluarën, edhe në këtë edicion vazhdon të sjellë emrat më spikatës të muzikës shqiptare, me çka krijon një traditë të promovimit të vlerave të mirëfillta të muzikës shqiptare, si modele që duhet ndjekur nga gjeneratat që vijnë.

Programi koncertal i këtij koncerti, i cili do të mbahet me datë 22 maj, ora 20:30, në sallën e Filharmonisë së Maqedonisë, do jetë I përbërë nga arie të kompozitorëve botëror, si Puccini, Bellini, Verdi, Gounod, Massenet dhe të tjerë.

Pantisilena Jaho do ta shoqërojë sopranon në piano, kurse si mysafir I ftuar do të jetë sopranoja nga Maqedonia Besarta Murtezani. 

          Ky manifestim është i mbështetur nga Ministria e Kulturës e RMV.

          Biletat për këtë koncert janë në shitje nëpërmjet faqes mktickets.mk, me çmim 300 denarë (5 euro).