Sulejmani: Studentët kanë të drejtë të kërkojnë provimin në shqip dhe të protestojnë

Shkup, 4 mars, medial.mk/ – Zëvendësministri i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës Driton Sulejmani ka reaguar lidhur me kërkesat e studentëve për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke theksuar se kjo është një e drejtë legjitime.

Në një reagim publik në fejsbuk profilin e tij, Sulejmani u shpreh se studentët janë plotësisht në të drejtën e tyre jo vetëm për të kërkuar zhvillimin e provimit në gjuhën shqipe, por edhe për të protestuar për realizimin e kësaj kërkese.

“Të dashur studentë, jeni në të drejtën e plotë për kërkesën tuaj që provimin e jurisprudencës ta jepni në gjuhën shqipe. Gjithashtu, jeni në të drejtën e plotë që të protestoni për kauzën tuaj. Për dallim nga më herët, tani pa frikë dhe lirshëm mund ta shprehni vullnetin tuaj”, shkruan Sulejmani.

Ai gjithashtu ka bërë thirrje për kujdes ndaj, siç i quan ai, tentativave për përfitime politike nga kjo çështje, duke kritikuar opozitën për qasjen e saj.

“Kujdes nga opozita pa busull dhe argatët e saj, të cilët po mundohen të dalin pak në dukje dhe të mbledhin ndonjë pikë politike, e që aspak nuk e kanë hallin për kauzën tuaj”, thekson ai.

Në të njëjtën kohë, Sulejmani ka kundërshtuar idenë e bashkimit mes pozitës dhe opozitës për këtë çështje, duke vlerësuar se përgjegjësitë për situatën aktuale janë të ndara.

“Lërini thirrjet e kota të tipit ‘bëhuni bashkë opozitë e pozitë’, sepse nuk mund të bëhen bashkë ata që ju kanë lënë në këtë situatë dhe ata që po mundohen t’ju gjejnë zgjidhje për problemin tuaj”, shton ai.

Sulejmani shprehet i bindur se, pavarësisht zhvillimeve dhe protestave, studentët në fund do ta realizojnë kërkesën e tyre për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Leave a Reply