Subvencione më të mëdha në blegtori dhe bletari
Shkup, 11 shkurt – Me harmonizimin e masave me rregullativë evropiane e trasojmë rrugën drejtë një prodhimtarie moderne dhe konkurruese, prej të cilës përfitim do të ketë ekonomia e përgjithshme dhe bujqit, shkroi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Lupço Nikollovski në profilin e tij në fejsbuk me rastin e harmonizimit të Programit për mbështetje financiare në bujqësi për vitin 2022 e cila parasheh subvencione të rritura dhe parapagime.
“I rritëm subvencionet në blegtori, me qëllim që t’i motivojmë fermerët që të punojnë në ngritjen e cilësisë së produkteve të tyre. Mbështetja për një frymë bagëtie rritet prej 2.800 në 3.100 denarë për një frymë. Për herë të parë vendoset subvencion plotësues për cilësinë e qumështit. Nëse deri më tani prodhuesit e qumështit të lopës të cilët prodhonin qumësht me klasë ekstra merrnin mbështetje prej 3,5 denarë për një litër, prej tani do të marrin 4,5 denarë për një litër. Mbështetja për qumësht të deleve dhe dhive rritet prej 4,5 denarë për një litër në 5,5 denarë për një litër qumësht”, bën të ditur Nikollovski.
Sipas tij, rritet edhe mbështetja për familjet e bletëve prej 600 në 700 denarë në mënyrë lineare, për të gjithë prodhuesit, pavarësisht se sa janë kapacitetet e tyre.
Programi për mbështetje financiare ishte miratuar në mbledhje të qeverisë të martën.