Stuart Peach për vizitë dy ditore në Shkup

Shkup, 31 janar – Përfaqësuesi special i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor Ser Stjuart Piç sot do të mbërrijë për vizitë dyditore në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Siç bëri të ditur pres shërbimi qeveritar, gjatë vizitës së parë zyrtare në vend në cilësi të Përfaqësuesit special, Ser Stjuart Piç do të pritet nga kryetari i Qeverisë Dimita Kovaçevski, ndërsa do të ketë takime të ndara edhe me ministrin e Punëve të Jashtme Bujar Osmanin dhe me ministren e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovskën.

Ish-shefi i Shtatmadhorisë së Armatës së Mbretërisë së Bashkuar Stjuart Piç, tani si përfaqësues special i kryeministrit Boris Xhonson, në vendin tonë do të pritet edhe nga presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski.

Në kuadër të vizitës së tij në vendin tonë, theksohet, përfaqësuesi special Piç me bashkëbiseduesit e tij do të bisedojë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të fuqishme dypalëshe mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Maqedonisë së Veriut dhe për përkushtimin e fuqishëm të Mbretërisë së Bashkuar për integrimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor.

Gjatë qëndrimit të tij punues në Shkup përfaqësuesi special Ser Stjuart do të takohet edhe me përfaqësues të opozitës dhe me një pjesë të organizatave rinore në vend.

Si përfaqësues special i kryeministrit Ser Stjuart do të punojë me liderët e Ballkanit Perëndimor, dhe përfaqësues të tjerë të rajonit dhe aleatët e SHBA-së dhe Evropës në mbështetje dhe përforcim të stabilitetit rajonal.

Nga Maqedonia e Veriut, përfaqësuesi special Ser Stjuart shkon për në Bullgari, si pjesë e përkushtimit të vazhduar të Mbretërisë së bashkuar në stabilitetin dhe prosperitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor, theksojnë nga Ambasada.