Strugë-Ohër, kapacitetet e hoteleve do të mbushen për 50% gjatë festave të Pashkëve dhe Ramazanit

Struga, 21 prill – Festat e Pashkëve, Ramazanit dhe majit do të mbushin rreth 50% të kapaciteteve të hoteleve në bregun e liqenit të Ohrit. Ndryshe, nga vitet tjera para pandemisë, ku kërkoheshin më shumë hapësira për akomodim, tani për shkak të krizës ekonomike globale dhe inflacionit, interesi i mysafirëve është përgjysmuar. Fundjavat e ardhshme pritet të vijnë më shumë turistë nga rajoni, vendet fqinje, Shqipëria, Bullgaria, Greqia, Mali i Zi dhe Serbia. 

“Fatkeqësisht, nuk mund të mburremi se përmbushja e kapaciteteve tona është në një nivel si në vitet 2017, 2018 dhe 2019. Për momentin po luftojmë që të arrijmë diku rreth 50% të kapaciteteve të hoteleve në atë periudhë.”,- deklaroi kryetari i HOTAM, Kërste Blazheski.

Udhëtimet në këtë kohë për shkak të krizës janë bërë luks. Sipas HOTAM, buxheti i brendshëm nuk është i mjaftueshëm për udhëtime, akomodime dhe shërbime me çmime të larta.

“Ka një shqetësim të madh në çmimet e transportit, për të arritur këtu mysafirët, kushton shumë transporti, shërbimet janë pak më të shtrenjta se vitet e kaluara dhe vetë lufta kontribuon në mendimin e turistëve nëse duhet të udhëtojnë në një destinacion apo të qëndrojnë në vendet e tyre.”,- u shpreh kryetari i HOTAM, Kërste Blazheski.

Për momentin nuk ka lajmërime se do të ketë turistë të huaj për festat e këtij muaji, ndërsa në aeroportin e Ohrit pritet të ketë fluks të mërgimtarëve.