Strugë/ Nëntë subjekte nuk e kanë respektuar vendimin për kufizimin e marzhës

Shkup, 16 mars – Vetëm për dy ditë kontroll nga Reparti për Kontroll Inspektues të Strugës pranë Inspektoratit Shtetëror të Tregut janë shqiptuar 11 masa ndaj subjekteve tregtare në Strugë dhe Dibër.

Udhëheqësi i Repartit në Strugë, Shpendim Iljazi informoi se tregtarët me pakicë, sidomos në marketet e mëdha nuk e kanë respektuar vendimin për kushte të veçanta për tregtinë e disa mallrave, gjegjësisht marzhën e disa prodhimeve deri në tre për qind, por që kanë respektuar çmimet e produkteve jofitimprurëse.

“Gjatë kontrollit në tregti, të shtunën dhe të hënën ekipet e Inspektoratit Shtetëror të Tregut shqiptuan nëntë masa në Strugë dhe dy në Dibër. Dënimet janë për mosrespektim të vendimit për vlerën e marzhës, gjegjësisht duke aplikuar marzhë më të lartë se tre për qind, ndërsa vërejtëm respektim të çmimeve të produkteve pa fitim. Të gjitha subjekteve u janë shqiptuar dënime prej nga 7.000 euro”, theksoi Iljazi.

Ai dërgoi apel te qytetarët të paraqesin parregullsitë në numrin e telefonit 191, ndërsa tregtarët t’i respektojnë vendimet qeveritare.

“Kjo është krizë botërore dhe tregtarët duhet të solidarizohen dhe ta respektojnë vendimin e Qeverisë”, theksoi Iljazi.