Strugë/ Afër shkollës po ndërtohet fabrikë për përpunim të marihuanës
Strugë, 16 shkurt – Banorët e disa fshatrave të Strugës janë të shqetësuar pasi vetëm 100 metra larg shkollës fillore në fshatin Drsllajcë ku mësojnë fëmijët e tyre po ndërtohet fabrikë për marihuanë, shkruan Alsat.
Ata shprehen se është e papranueshme që të ketë impiant të tillë pranë një institucioni arsimor.
“Të gjithë kanë frikë nga droga ndërsa shkolla është 50 metra larg. Është normale që nuk është mirë të ndërtohet kjo fabrikë këtu”, tha Sllavko Millosheski- kryetar i B.L në Drsllajcë.
“Çfarë mbrojtje do të kenë fëmijët tanë që janë në afërsi prej 50 apo 100 metrave, që ecin dhe shëtisin kënde”, u shpreh Aco Poposki- kryetar i B.L në f.Moroishtë.
Në këtë shkollë fillore mësojnë rreth 150 fëmijë nga tre fshatrat e Strugës, Drsllajcë, Moroishtë dhe Llozhan.