Sterling do të jetë në dispozicion të trajnerit Southgate
Ditët e fundit kanë qenë shumë të vështira për Raheem Sterling. Familja e tij pësoi një sulm të frikshëm në fundjavë. Disa persona të armatosur u futën në shtëpinë e 28-vjeçarit, tmerruan gruan dhe tre fëmijët e tij dhe në fund grabitën disa ora me vlerë rreth 300 mijë € në total.
Policia angleze ka arrestuar dy persona në lidhje me ngjarjen e hidhur, ndërkohë që Gareth Southgate, trajneri i Anglisë, shfaqi mirëkuptimin e tij në lidhje me situatën e sulmuesit: “Nuk e di nëse do të rikthehet këtu, është familja në mes dhe unë nuk dua t’i ushtroj presion. Ndonjëherë futbolli nuk është gjëja më e rëndësishme, familja vjen e para”.
Në familjen e Sterling është rikthyer qetësia dhe ky i fundit do të rikthehet në Kupën e Botës. Në një postim zyrtare, Federata Angleze e Futbollit njofton se lojtari ofensiv do të fluturojë nesër (e premte) drejt Katarit për t’iu bashkuar “Tre Luanëve”.
Sterling, i cili sot feston 28-vjetorin e lindjes, do të jetë në dispozicion të trajnerit Southgate për duelin e zjarrtë çerekfinal ndaj kampionëve të Francës. Përballja do të zhvillohet të shtunën e 10 dhjetorit në “Al Bayt Stadium” (20:00).

