Starmer: Mbështesim diplomacinë mes SHBA-së dhe Iranit, jo ndërhyrjen ushtarake
Kryeministri britanik Keir Starmer deklaroi se Britania e Madhe është e përqendruar në “mbështetjen e procesit politik” mes Uashingtonit dhe Teheranit, në një kohë tensionesh lidhur me përdorimin e bazave ajrore britanike për sulme të mundshme amerikane ndaj Iranit.
Qeveria britanike mësohet se ka bllokuar kërkesën e presidentit amerikan Donald Trump për të përdorur bazën ushtarake në Diego Garcia, në Ishujt Chagos, në rast se SHBA-ja do të ndërmerrte një fushatë ushtarake kundër Iranit.
Sipas raportimeve, Londra ka shqetësime se një veprim i tillë mund të binte ndesh me të drejtën ndërkombëtare.
Trump ka paralajmëruar se do të sulmojë Republikën Islamike nëse nuk arrihet një marrëveshje për programin e saj bërthamor.
Starmer theksoi mbështetjen e Britanisë së Madhe për zgjidhje diplomatike gjatë një bisede telefonike me princin e kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman.
Një zëdhënës i qeverisë britanike tha se kryeministri Starmer ka theksuar se Irani nuk duhej kurrë të ishte në gjendje të ndërtonte armë bërthamore, dhe se siguria në rajon mbetej prioritet.
Bisedimet e nivelit të lartë mes SHBA-së dhe Iranit për kufizimin e programit bërthamor përfunduan dje pa një marrëveshje, duke lënë të hapur mundësinë e përmbushjes së kërcënimeve të Trump për veprim ushtarak.
Ndërkohë, SHBA-ja ka grumbulluar një flotë avionësh dhe anijesh luftarake në rajon.
Raportohet gjithashtu se Trump ka tërhequr mbështetjen për marrëveshjen e Starmer për transferimin e sovranitetit të Ishujve Chagos te Mauritius, pasi Britania e Madhe nuk ka miratuar përdorimin e bazës së përbashkët ushtarake britaniko-amerikane në Diego Garcia për një sulm të mundshëm ndaj Iranit.

