Spasovski – Demerxhiev: Nuk do të lejohet asnjë incident në përkujtimin e Goce Dellçevit

Shkup, 30 janar – Ministrat e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Oliver Spasovski dhe Ivan Demerxhiev, sot nga Shkupi thanë se nuk do të lejohet asnjë incident në shënimin e përvjetorit të lindjes së Goce Dellçev që duhet të mbahet të shtunën dhe se në atë drejtim policia e Maqedonisë po i merr të gjitha masat e nevojshme.

“Kjo është në kushtet e tensioneve pak të shtuara, njoftimeve të ndryshme për prishje të rendit dhe qetësisë publike. Ne duam të dërgojmë një mesazh të qartë se asnjë incident nuk do të tolerohet. Policia e Maqedonisë po i ndërmerr të gjitha masat dhe aktivitetet e nevojshme dhe absolutisht nuk guxon të lejojë incident, gjegjësisht do të sigurojmë festim ashtu siç i takon të madhit tonë Goce Dellçev, tha ministri Spasovski pas takimit me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Brendshme bullgare Ivan Demerxhiev.

Se të bëhen përpjekje për përkujtim të qetë dhe paqësor të Goce Dellçevit pas takimit konfirmoi edhe Demerxhiev.

“Nga kolegu Spasovski kam marrë të gjitha informacionet se gjithçka do të sigurohet, se absolutisht do të merren të gjitha masat për mbarëvajtjen e sigurt të ngjarjes. Dhe gjithashtu e sigurova se nuk do të lejoj që njerëzit që do të vijnë në festë të shkaktojnë provokime apo ngjarje të pakëndshme. Kemi arritur marrëveshje që çdo gjë të jetë në mënyrën më të mirë që kjo ngjarje të ndodhë dhe të mos lejojmë që disa persona të tentojnë të ndezin zjarrin ku nuk ka. Qëllimi është të nderohet Goce Dellçev i madh, e jo të jetë qendër dhe vend ku do të ndodhin fenomene radikale”, tha Demerxhiev pas takimit me kolegun e tij në Shkup.