Sot përpjekje e re për pagën minimale, nëse nuk arrihet marrëveshje sindikatat dalin në grevë

Shkup, 4 shkurt – Takim i ri mes sindikatave, punëdhënësve dhe Qeverisë është caktuar për sot në orën 16:00 në të cilën sërish do të bisedohet për kërkesën e sindikatave për rritje të pagës minimale në 18.000 denarë.

Për sindikatat është i papranueshëm propozimi i punëdhënësve i nxjerrë në Këshillin e fundit social-ekonomik të mbajtur të mërkurën, sepse sipas llogaritjeve të sindikatës në atë rast paga minimale në neto vlerë mund të arrijë 16.164 denarë. Pakënaqësinë nga propozimi i tillë do ta shprehin sot nga ora 13:30 deri më 14:30 kur Kryesia dhe Këshilli i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë si organe më të larta të sindikatës do ta bllokojnë rrugën para selisë së Organizatës së Punëdhënësve të Maqedonidsë dhe Odës Ekonomike të Maqedonisë.

“Me atë që e ofrojnë paga minimale në neto vlerë do të ishte 16.164 denarë që për ne është e papranueshme në asnjë rast kur e dimë se shporta minimale e sindikatës arrin 35.040 denarë. Prandaj nesër pas përfundimit të seancës së Këshillit të LSM-së direkt dalim me të gjithë Kryesinë e LSM-së dhe të gjithë bordet e grevës do të dalin në protestë me bllokimin e rrugëve para selisë së OPM-së dhe Odës Ekonomike të Maqedonisë”, deklaroi dje Dimovski.

Nga Organizata e Punëdhënësve të Maqedonisë të mërkurën propozuan që kriteret për përcaktim të pagës minimale të kenë ndryshime dhe presin për këtë të shprehet Qeveria.

Sipas punëdhënsve, vendimi duhet të jetë adekuat me gjendjen e tanishme në ekonomi.

Nga Qeveria janë të kënaqur me dialogun ndërmjet partnerëve social dhe mendojnë se zgjidhje mund të ketë vetëm përmes dialogut me të gjitha palët e interesuara.

“I siguroj të gjithë qytetarët të cilët janë në kategorinë e pranuesve të pagës minimale, se së shpejti do të ketë konsensus rreth pagave të tyre minimale të rritura. Por, kemi thënë se mënyra e vetme si të arrihet në një pagë dinjitoze për punëtorët tanë është krijimi i sistemit që është afatgjatë, që nuk do t’i lë në vullnetin e një Qeverie, kur të dëshirojë apo të dëgjojë ajo, ose në palët e ndryshme siç janë sindikatat ose organizatat e punëdhënësve”, tha zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike Fatmir Bytyqi pas mbledhjes të mërkurën.

Nëse sot nuk arrihet marrëveshje për pagën minimale, sindikata paralajmëron grevë të përgjithshme.