Sllovenia ua lejon martesat personave të gjinisë së njëjtë

Parlamenti slloven të martën e ka miratuar një amendament që lejon çiftet e gjinisë së njëjtë të martohen.

Amendamenti i ligjit për familjen u miratua me 48 deputetë, 29 kundër dhe një abstenim.

Sllovenia, e cila doli nga shpërbërja e Jugosllavisë, është vendi i parë ish-komunist që miratoi këtë reformë në Evropë, pasi shumica  e vendeve fqinje nuk lejojnë një gjë të tillë, shkruan Euronews.

Në korrik, gjykata më e lartë e Sllovenisë vendosi se ligji që përcakton martesën si vetëm midis një burri dhe një gruaje, diskriminon çiftet homoseksuale dhe lezbike.

“Me këto ndryshime, ne po njohim të drejtat e çifteve të të njëjtit seks që duhet t’i kishin për një kohë të gjatë”, tha Sekretari i Shtetit Simon Maljevac para deputetëve kur paraqiti amendamentin.

Partia kryesore e opozitës, Partia Demokratike Sllovene, kritikoi vendimin e gjykatës dhe organizoi disa tubime kundër ligjit të ri.