Skandal diplomatik !? Xhambaski “kërcënon” me atentat presidentin Stevo Pendarovski

Shkup, 25 janar – Eurodeputeti bullgar Angell Xhambaski, në një deklaratë për median bullgare Nova, duke komentuar deklaratën e presidentit tonë Stevo Pendarovski se do t’i propozojë Qeverisë që ta shpallin Xhambaskin person non grata dhe të mos e lejojnë më të futet në Maqedoni, ai iu kërcënua me atentat, njelloj siç i kishte ndodhur mbretit serb Aleksandar Karagjorgjeviq, transmeton Zhurnal.

“Sa i përket asaj të më ndalohet të hyj në Maqedoni, le të rikujtohet Stevo Pendarovski, presidenti i Maqedonisë së Veriut, i njohur me pseudonimin “Stevo Kominterna”, se shumë tjerë njerëz janë përpjekur të ndalojnë hyrjen e liderëve të VMRO-së në Maqedoni dhe rezultati i kësaj ka qenë të them, rezultati i fundit me mbretin serb jugoslloven, Aleksandar Karagjorgjevviq. Kështu që, le të mësojmë nga historia, nëse përpiqet të ma ndalojë hyrjen në Maqedoni, le ta shoh historinë dhe le të mësojë nga ajo”, deklaroi ai.

Përndryshe mbreti Aleksandar Karagjorgjeviq është vrarë në një atentat në Marsej, nga ana e Vllado Çernozemski me urdhër të VMRO-së më 9 tetor 1934.

I pyetur nëse po planifikon të vijë në Shkup më 4 shkurt për shënimin e ditëlindjes së 151 të të Goce Dellçevit, tha se ka tjera obligime./Zhurnal.mk