Situata në Kosovë qetësohet, çfarë pas heqjes së barrikadave?

Shkup, 4 janar – Fundi vitit 2022 posaçërisht muaji dhjetor ishte muaji i tensioneve të larta në veri të Kosovës, ku shpesh pritej e flitej për një përshkallëzim të situatës me përmasa më të mëdha. Por, falë lidershipit në Kosovë dhe koncentrimit të faktorit ndërkombëtarë për të krijuar paqe dhe stabilitet në rajon, e gjithë ajo situatë e rënduar po përfundon me fillimin e vitit të ri. Për 20 ditë me rradhë, në dhjetor të vitit 2022, në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe, u vendosën barrikada në rrugët që çojnë drejt pikave kufitare Kosovë-Serbi. Por, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, dhe Policia e Kosovës i kanë larguar më 3 janar barrikadat e krijuara me kamionë në pikat kufitare. Megjithatë, ky ishte veprimi i shumëpritur dhe i nevojshëm për të stabilizuar situatën e tensionuar. Cilat do të jenë hapat vijues që do të ndërmerren në raport me marrëveshjen Kosovë – Serbi, shkruan Zhurnal.

Qetësohet situata në veri, largohen barrikadat –

Për 20 ditë me rradhë, në dhjetor të vitit 2022, në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe, u vendosën barrikada në rrugët që çojnë drejt pikave kufitare Kosovë-Serbi. Barrikadat u vendosën në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-polici serb të Kosovës, i cili, sipas autoriteteve të Kosovës, dyshohet për organizimin e një sulmi ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Por, serbët vendosën të heqin barrikadat pasi Dejan Pantiqit iu ndryshua masa e sigurisë nga paraburgim në arrest shtëpiak. Po ashtu, përfaqësuesit e serbëve në Kosovë, gjatë një takimi në Rashkë të Serbisë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, më 28 dhjetor deklaruan se kanë marrë garanci që kërkesat e serbëve për heqjen e barrikadave do të plotësoheshin.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, dhe Policia e Kosovës i kanë larguar më 3 janar barrikadat e krijuara me kamionë, te vendi i njohur si Shkëmbi i Dudës, në Mitrovicën e Veriut.

Pas këtyre zhvillimeve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian dolën me një komunikatë të përbashkët, ku thuhej se kanë pranuar garanci nga lidershipi politik në Kosovë se nuk do të kishte lista të arrestimeve për qytetarët e barrikaduar.

“Ne mirëpresim garancitë e lidershipit të Kosovës që konfirmojnë se asnjë listë e serbëve të Kosovës nuk ekziston për t’u arrestuar apo përndjekur për protestat/barrikadat paqësore. Në të njëjtën kohë, sundimi i ligjit duhet të respektohet, dhe çdo formë e dhunës është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet.” – është thënë në komunikatë.

Gjithashtu edhe vendet evropiane, Franca e Gjermania konkretisht mbështetën lëvizjet para, ndërsa potencuan faktin se dialogu është e vetmja zgjidhje.

“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve serbe dhe kosovare që të vazhdojnë të punojnë në mënyrë konstruktive për të zbutur tensionet në terren dhe për të ecur drejt një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE.” – thuhej në komunikatën e pak ditëve më parë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Francës.

Kurse, zëvendës-zëdhënësja e qeverisë gjermane, Christiane Hoffmann ka mirëpritur uljen e tensioneve në veri të Kosovës. Përkundër faktit se nuk pranoi të komentojë kërkesën e Kosovës për shtimin e trupave të NATO-s në rajon, ka thënë se heqja e barrikadave është shenjë e mirë e përafrimit të palëve.

“Kjo është një shenjë e mirë, që të dy palët janë afruar me njëra-tjetrën dhe se pakica serbe në veri të Kosovës i ka hequr barrikadat”, kishte thënë ndër tjerash Christiane Hoffmann në Berlin.

Çfarë pas heqjes së barrikadave?

Situata në Veri të Kosovës është qetësuar aktualisht por nuk dihet sa do të jetë në këtë gjendje, pasi kohëve të fundit tensionet janë shpeshtuar e kjo krejt si pasojë e asaj që Beogradi nuk mundet dot të përballojë lidershipin serioz dhe të përgatitur në Kosovë.

Megjithatë, edhe pse ka një ndërhyje të fortë nga ndërkombëtarët situata sërish mund të del prej kontrolli, pasi mjafton një shkëndijë e vetme dhe një mbështetje e garantuar nga Rusia për Serbinë destabilizohet i tërë rajoni. SHBA-të kanë kthyer vëmendjen më shumë se kurrë në Ballkanin Perëndimor, dhe po bëjnë përpjekje të jashtazkonshme për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë që do ta garantonte paqe të përjetshme në rajon.

Në fokus të kësaj situate duhet të jetë pikërisht Serbia e cila është e orientuar shumë fort dhe qartë drejt Rusisë, por njërën “këmbë” Beogradi e mban nga Perëndimi, pra siduket është mësuar të luajë mirë me standarde të dyfishta. SHBA po kërkon që pikërisht t’i japin fund lojës “me dy karrige” të presidentit serb Aleksandër Vuçiç. Ndërhyrja amerikane ka filluar dhe Serbia është nën alarm, pasi nuk do ketë rrugë tjetër vetëm se të vendosë sanksione ndaj Rusisë si dhe të njohë Kosovën.

Ashtu si SHBA dhe BE kanë paralajmëruar se nëse Serbia nuk ndryshon kurs do të përballet me të njëjtët sanksione si Rusia, si edhe çdo investim i Perëndimit në Beograd do të ndërpritet. Kjo ndërhyrje nga amerikanët vjen në një moment shumë të nxehtë ku lufta në Ukrainë ka ndryshuar situatën gjeopolitike dhe ka rritur rrezikun për konflikte të reja dhe për ndezjen e llogarive të vjetra, siç është situata delikate Kosovë-Serbi.

Për sa i përket marrëveshjes Kosovë – Serbi, ambasadori amerikan në Kosovë Jeff Hovenier ka thënë që momentalisht, njohja s’është e mundur, në një intervistë të realizuar në Economist, me gazetarin Tim Judah. Siç parafrazohet të ketë shtuar Hovenier: “Ka mundësi reale drejt njohjes, nëse angazhimi momental është hap i përkohshëm drejt saj”. Gjithsesi, kreu i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë ka thënë se problemet mes palëve mund të tejkalohen. Sipas tij, zhvillimet e fundit në veri kanë ndikuar që situata të ndryshojë, duke shprehur kështu doza skepticizmi rreth njohjes, tani për tani.

Ajo çfarë është e pritshme tani pas heqjes së barrikadave është angazhimi i ndërkombëtarëve ashtu siç kanë paralajmëruar që në gjysmën e parë të këtij muaji të zbarkojnë në Beograd e pastaj edhe në Prishtinë për të shtuar presionet për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare që me dekada po e mban peng tërë rajonin, dhe si mungesë e kësaj këta dy shtete kanë mbet të izoluara dhe si të tilla do të mbesin edhe gjatë kohë nëse nuk ka gatishmëri për marrëveshje. Kosova si shtet i pavarur tani më mirë se asnjëherë më parë është e përgatitur dhe e gatshme me lidership të përgjegjshëm për arritjen e një marrëveshjeje me fqinjin verior, Serbinë. Ndërkaq, Serbia duhet të pozicionohet qartë nëse është me Perëndimin dhe SHBA-të duhet të pranojë realitetin e hidhur që shteti i Kosovës është shtet i pavarur dhe nuk ka negocim për këtë çështje, duhet të largohet nga ndikimi rus dhe të pozicionohet drejt rrugëtimit evropian. /Zhurnal.mk