Situata e tensionuar në veri të Kosovës, asnjë reagim nga forcat politike në Shkup
Mitrovicë, 27 maj – Zhvillimet e fundit në veriun e Republikës së Kosovës pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale në disa komuna të cilat mbetën pa kryetar komune pas dorëheqjes së atyre serb, duket se janë përshkallëzuar.
Përshkallëzimi ka ardhë deri në atë nivel që ka pasur edhe përleshje mes protestuesve serb dhe forcave policore të Kosovës pas momentit të betimit të kryetarëve të komunave të cilët tashmë janë zgjedhur nga partitë shqiptare.
Edhe përkundër këtyre zhvillimeve dhe reagimeve nga oponentët politik në Kosovë por dhe në Shqipëri, tek ne ende asnjë parti politike e as politikan dhe personalitet i lartë nuk ka reaguar dhe nuk ka bërë thirrje për qetësim të situatës, të paktën deri në këtë moment që shkruajmë.
Ndryshe, tensionet në veri të vendit u rritën pas betimit të kryetarëve të rinj, të cilët dje duhej ta fillonin punën në objektet përkatëse komunale.
Policia përdori gaz lotsjellës dhe shok-bomba për të shpërndarë disa qytetarë serbë që u mblodhën para ndërtesave komunale në veri të Kosovës, në përpjekje për të penguar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në zyrat e tyre.