Situata e sigurisë është stabile, pa kurfarë indikacione për destabilizim

Shkup, 18 mars – Në këtë moment situata e sigurisë është stabile dhe e qetë, pa kurfarë indikacione për destabilizim. Ne çdoherë kemi sfida në pjesën e terrorizmit apo emigracionit, që gjithashtu është një nga rreziqet potenciale të sigurisë jo vetëm për ne, por edhe për të gjitha vendet në këtë rajon dhe më gjerë, theksoi sot ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, duke folur për sigurinë në vend.

“Me aktivitetin e koordinuar mirë që e kemi së bashku me shërbimet tona të sigurisë, ASN, Agjencinë për zbulim, MPB dhe agjencitë e tjera për zbatim të ligjit në këtë pjesë, në nivel ditor këmbejmë informata dhe të dhëna të plota dhe i ndjekim trendet, kështu që nuk kemi kurfarë indikacione për çfarëdo lloj çrregullimi të gjendjes së sigurisë dhe për këtë shkak qytetarët mund të jenë të qetë”, theksoi Spasovski pas ngjarjes në të cilën me ministrin slloven të Punëve të Brendshme, Alesh Hojs, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në vend, u nënshkrua Marrëveshja implementuese mes qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Sllovenisë për luftë kundër tregtisë me njerëz.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Spasovski, duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve rreth gjendjes me refugjatët ukrainas në vend, tha se deri më tani në vend kanë ardhur rreth pesëdhjetë njerëz nga Ukraina.

“Deri më tani nuk kemi ndonjë numër më të madh, rreth pesëdhjetë njerëz, të cilët janë shtetas ukrainas apo shtetas ukrainas të cilët janë të martuar me shtetas të Maqedonisë së Veriut. Do të thotë, familjet e tyre janë këtu dhe të gjithë kanë ardhur me organizim të vet paraprak, privatisht. Në këtë pjesë tani nuk kemi ndonjë presion për ardhje të emigrantëve, që nuk do të thotë se kjo nuk do të na ndodhë, për shkak se ajo që me të vërtetë po ndodh në Ukrainë është shumë e tmerrshme dhe ne duhet të shtrijmë dorën miqësore për ata njerëz të cilët ikin nga një agresion i tillë dhe nga ajo që po i ndodhë popullit ukrainas”, shtoi Spasovski.

Ministri i Punëve të Brendshme theksoi se Qeveria tashmë ka sjellë konkludime dhe u janë dhënë detyrime institucioneve dhe grupeve adekuate të cilat duhet të përgatisin tërë atë që nevojitet për valë të mundshme të refugjatëve.

“E dini se kemi një detyrim përmes MPB-së drejt byrosë nacionale për siguri të sigurohen automjetet të cilat do të vijnë, të hyjnë pa kartonë të gjelbër. jam njoftuar se kanë sjellë vendim të tillë dhe se të gjitha automjetet të cilat janë nga Ukraina mund të hyjnë në Maqedoni të Veriut dhe për dëm të mundshëm do të përgjigjet Byroja nacionale për siguri përmes fondit. Të gjitha institucionet në kompetenca të veta ndërmarrin masa në mënyrë që të jemi tërësisht të përgatitur për ndihmë”, potencoi Spasovksi.

Ministri slloven Hojs theksoi se në Slloveni për momentin ka diç më pak se 3.000 refugjatë nga Ukraina.

“Në periudhën e kaluar përkohësisht ishin të vendosur mbi 10.000 emigrantë, ata janë njerëz të cilët vazhduan më tutje në drejtim të Italisë, Francës, Spanjës… Bëhej fjalë për gra dhe fëmijë, ndërsa sipas informatave që i dhanë, udhëtonin tek të afërmit e tyre, tek të njohurit e vet, tek ata që punojnë në Evropën perëndimore”, theksoi Hojs.

Ai theksoi se në këtë moment Sllovenia është e gatshme të pranojë 10.000 refugjatë, ndërsa atë numër do ta rrisë nëse vërehet se po rritet vala e emigrantëve.

“Sllovenia aktivizoi direktivë për mbrojtje të përkohshme. Sllovenia atë ligj e miratoi për mbrojtje që në vitin 2005 pas asaj direktive e cila ishte miratuar në vitin 2001 dhe tashmë e kemi aktivizuar atë Ligj. Në atë ligj është caktuar se të gjithë ukrainasve, të cilët morën mbrojtje ndërkombëtare, u lejohet hyrje e lirë në Slloveni dhe mund të vendosen në Slloveni, mund të marrin kujdes të plotë, ushqim. veshmbathje, mbrojtje mjekësore dhe këto ditë përgatisim edhe mbështetje informatike. Secili prej tyre do të regjistrohet dhe në pajtim me Ligjin do të marrë letërnjoftim të posaçëm, do të mund të paraqitet në tregun e punës. po punohet vetëm në atë, të gjithë ata shpejtë të marrin mbështetje në Slloveni”, theksoi ministri slloven.

Rreth asaj nëse vendi po ndërmerr diçka për mbrojtje pas incidentit me dronin në Zagreb, Spasovski tha se në atë pjesë, absolutisht janë në funksion dhe me efikasitet të plotë të gjitha shërbimet e shtetit të Maqedonisë së Veriut, ASN dhe Agjencia për zbulim.

“Gjithsesi se edhe në kuadër të NATO-s çdo ditë këmbehen të dhëna dhe informata dhe ndërmerren masa të cilat do të thonë mbrojtje e plotë e qytetarëve, integritetit territorial dhe sovranitetit të secilit vend anëtar të Aleancës”, potencoi ministri i Punëve të Brendshme.