Sirena turke për Gjimshitin, Beshiktash kontakton Atalantan, e ardhmja e “digës” kuqezi në dyshim

Nga 2018 pjesë e pandarë Atalanta-s, prej vitesh titullar fiks në skemat e Gasperinit. Berat Gjimshiti është një nga qendërmbrojtësit më të vlerësuar në Serie A, ndërsa thuajse në çdo sesion të merkatos emri i tij është lakuar dhe lakohet shpesh në klube të ndryshme. Së fundmi, në “gjurmët” e yllit kuqezi është futur Beshiktash. Gjigandi turk kërkon të përforcojë repartin mbrojtës dhe Gjimshiti duket profili ideal për trajnerin Gynesh.

Sipas beIN Sports, përfaqësues të Beshiktash kanë vendosur kontaktet e para me klubin e Atalantas, por dhe me lojtarin. Kartoni i mbrojtësit shqiptar, sipas Transfermarkt vlerësohet me 10 milionë euro. Gjimshiti është nën kontratë me Atalanta-n deri në 2026 dhe vështirë se bergamskët do të hiqnin dorë nga titullari i tyre pak ditë përpara se të mbyllet merkato e verës.