‘Sindroma e teknologjisë’, problemet në muskuj dhe qafë për shkak të qëndrimit gjatë përdorimit të telefonave

Qëndrimi me orë të zgjatura në telefona apo kompjuteri po shkakton emergjencë shëndetësore – ngrenë shqetësimin mjekët ortopedë dhe fizioterapistët. Në botë bazuar në studime po njihet si sindroma e teknologjisë.

“Është ‘text-neck syndrome’, pra pozicioni i qafës në momentin që ne shkruajmë përpara tabletave apo smartphoneve. Pozicioni neutral i qafës është ky këtu që po rri tani, që kemi 5 apo 6 kg të peshuar në kokë… këndi tjetër është pothuajse 60 gradë i qëndrimit të qafës në këtë pozicion e ku llogaritet 17 kg forca, pak a shumë pesha e një fëmijë 8-9 vjeç që e mbajmë në qafë për një orë të caktuar”, është shprehur fizioterapisti Endrit Mone.

Varësia ndaj mjeteve elektronike po var edhe shpatullat e përdoruesve të internetit. Jo vetëm grupmosha e 30-50 vjeçarëve, por fizioterapisti Endrit Mone tregon se janë shtuar rastet e të rinjve 18- 30 vjeç që shfaqin dhimbje të qafës, e që prek si rrjedhojë më tej edhe muskujt.

“Në momentin që ne rrimë të përkulur në këtë pozicion, supet shkojnë përpara edhe qafa dhe kemi e një kërrusje të pjesës së shpinës, e cila nëse vazhdohet e patrajtuar ajo do të shkaktojë një problem serioz të një deformimi të shtyllës kurrizore. Sa më tepër ne të rrimë përpara, trupi do të gjejë epiqendrën e tij duke pasur probleme jo vetëm te pjesa e shpinës por edhe në shkurtimin e gjymtyrëve të poshtme”, ka shtuar Mone.

Por, cilat janë simptomat që ngrenë alarmin se rrezikojmë deformim të shtyllës kurrizore?

“Ne kemi dhimbje të thella në zonën e muskujve, rëndesa prapa koke, errësirë sysh, humbje përqendrimi, mpirje që na bën të bëjmë vizita të shumta si te kardiologu, orl pra ngatërrojmë simptomat… vetëm për shkak të keq qëndrimit. Edhe OBSH e ka kthyer problemin e dhimbjeve të qafës të renditet në vendin e katërt sepse prek mbi 70 për qind të popullsisë, ndaj duhet pasur parasysh dhe duhet rehabilituar në kohën e duhur”, këshillon fizioterapisti.

Përtej menaxhimit të kohës përpara telefonit, e rëndësishme është që të kryejmë aktivitet fizik të vazhdueshëm , këshillojnë mjekët, pasi ushtrimet sistematikisht do të na heqin dhimbjet dhe jo ilaçet qetësuese.