Si e fuqizon ruajtja e energjisë e drejtuar nga inteligjenca artificiale, ambicien e Kinës për “karbonin e dyfishtë”

Industria e sistemit të ruajtjes së energjisë (ESS) në Kinë po zhvillohet me shpejtësi në vitin 2025, e nxitur nga kapaciteti në rritje i energjisë së përtëritshme të vendit. Kjo rritje është thelbësore për përmbushjen nga Kina të objektivave të saj ambicioze për “kulmin e karbonit” dhe “asnjanësimin e karbonit”, të njohura shkurt si “karboni i dyfishtë”, ndërsa ekspertët theksojnë ndikimin revolucionar të ruajtjes së energjisë në sistemin energjetik.
Deri në fund të majit, kapaciteti total i instaluar për prodhimin e energjisë në Kinë arriti në 3.61 miliardë kilovat (kW), duke shënuar një rritje prej 18.8 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave të fundit prej Administratës Kombëtare të Energjisë (NEA) të Kinës të publikuara të shtunën.
Vlen të përmendet se kapaciteti i prodhimit të energjisë fotovoltaike (PV) pati një rritje të ndjeshme. Nga janari deri në maj, kapaciteti i ri fotovoltaik i lidhur me rrjetin u shtua me gati 200 milionë kW, duke shënuar një rritje prej 57 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vjetshme.
Kjo rritje e jashtëzakonshme e ka çuar kapacitetin e përgjithshëm të instaluar për prodhimin e energjisë fotovoltaike në Kinë përtej shifrës 1 miliard kW, duke arritur në 1.08 miliardë kW – baras me kapacitetin e përgjithshëm të instaluar të afërsisht 48 Digave të Tre Grykave.
Foto nga VCG
Megjithatë, ky zgjerim i shpejtë i burimeve të përtëritshme e intensifikon nevojën për zgjidhje të fuqishme të ruajtjes së energjisë. Për shkak të natyrës së luhatshme e të ndryshueshme të burimeve të energjive të reja, si ato të diellit dhe erës, ruajtja e energjisë po bëhet e domosdoshme për integrimin e burimeve të rinovueshme në rrjet dhe sigurimin e një furnizimi të qëndrueshëm me energji. Teknologjitë ESS përfshijnë forma të ndryshme, si ruajtjen e energjisë hidroelektrike me anë të pompimit, ruajtjen me anë të baterive, ruajtjen termike dhe ruajtjen mekanike, secila duke ofruar epërsi dhe zbatime unike. “Rëndësia e ruajtjes së energjisë për transformimin e sistemit energjetik është revolucionare”, tha Liu Yafang, ish-zëvendësdrejtor i përgjithshëm i NEA-s.
Foto nga VCG
Zhvillimi i ruajtjes së energjisë të tipit të ri u theksua për herë të parë si një “forcë prodhuese me cilësi të re” në raportin e punës së qeverisë kineze për vitin 2024. Një gjë e tillë nënvizon rëndësinë strategjike të ruajtjes së energjisë në ndërtimin e një sistemi të ri energjetik, që është një angazhim kyç për sa u përket objektivave të Kinës për arritjen e kulmit të lëshimit të karbonit dhe të asnjanësimit të karbonit.
Inteligjenca Artificiale nxit sigurinë dhe efikasitetin
Ndërsa kërkesa për teknologjitë ESS rritet dhe si cilësia e produktit, ashtu edhe kapaciteti i vazhdojnë të përmirësohen, roli i sistemeve të menaxhimit të energjisë (EMS) po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për të siguruar funksionimin e sigurt dhe efikas të impianteve të ruajtjes së energjisë. “Në mungesë të materialeve të brezit të ardhshëm për bateritë e ruajtjes së energjisë, menaxhimi efektiv i sigurisë përtej vetë qelizave të baterive është thelbësor,” deklaroi Shi Zinan, drejtor i Institutit të Mikrorrjetit Inteligjent në Institutin e Kërkimeve të Internetit të Energjisë “Tsinghua” të Sichuan-it.
Kompania “Syi Tsing Technology”, e cila prodhon Sistemet Inteligjente të Menaxhimit të Baterive (BMS), kreu një analizë të bazuar në të dhënat industriale. Ajo zbuloi se dështimet e shpeshta në BMS dhe Sistemet e Menaxhimit Termik (TMS) gjatë funksionimit, janë rreziqet kryesore të sigurisë në centralet e ruajtjes së energjisë. Midis mijëra rreziqeve të sigurisë dhe defekteve të hershme të zbuluara, defektet e brendshme të baterive (të tilla si degradimi jonormal) përbënin vetëm 2.4 për qind, ndërsa rreziqet e sigurisë së sistemit të jashtëm, kryesisht dështimet e BMS-së dhe defektet e TMS-së, zinin mbi 90 për qind.
Foto nga VCG
“Nëse këto rreziqe të hershme të fshehura vazhdojnë, ato do të përshpejtojnë ndjeshëm degradimin e baterisë dhe do të rrisin shumë rrezikun e nxehjes së tepërt,” paralajmëroi Shi në një intervistë për CGTN-in.
Teknologjitë e reja, veçanërisht Inteligjenca Artificiale (AI), tani po zgjerojnë kufijtë e kontrollit të sigurisë në ruajtjen e energjisë. Disa kompani kineze kanë zhvilluar sisteme BMS që integrojnë njohjen e specializuar të modelit të anomalive të të dhënave me teknika të arsyetimit të thellë nga modele të mëdha të AI-së si “DeepSeek” për diagnostikimin inteligjent të defekteve dhe strategji inteligjente të funksionimit dhe mirëmbajtjes. “Sistemet e ruajtjes së energjisë të drejtuara nga AI-ja mund të garantojnë siguri dhe funksionim e mirëmbajtje inteligjente,” shpjegoi Shi.
“AI-ja gjithashtu fuqizon transaksionet e ruajtjes së energjisë, rrit përfitimet ekonomike dhe ndihmon në rregullimin e efikasitetit të rrjetit,” vuri në dukje Liu, duke shtuar, “Shfaqja e teknologjive të reja, veçanërisht zhvillimi i fuqishëm i teknologjisë së AI-së në Kinë, pa dyshim do të promovojë zbatimin, përdorimin dhe zhvillimin me cilësi të lartë të ruajtjes së energjisë, për shembull, në optimizimin e strategjive operative të ruajtjes së energjisë.”
Vlera më e madhe e ruajtjes së energjisë të tipit të ri qëndron në potencialin e saj për të nxitur transformimin e sistemit energjetik – duke kaluar nga një model “furnizimi i centralizuar i varur nga lëndët djegëse fosile” në një model “bashkëpunimi të zotëruar nga energjia e përtëritshme, të shpërndarë dhe të centralizuar”.