Shumica e ndërtesave nën kompetencë të MPB janë me efikasitet energjetik
Shkup, 1 gusht – Në periudhën nga viti 2017 deri në korrik 2022, me rindërtimin e plotë ose të pjesshëm të 75 objekteve të MPB-së në mbarë vendin, janë zbatuar masa për rritjen e efikasitetit energjetik në 46 objekte, për realizimin e të cilave janë investuar 458.330.439 denarë nga buxheti i Ministrisë së Punëve të Brendshme.
“Mënyra e vjetër e ngrohjes është zëvendësuar me një të re dhe më ekonomike në 23 objekte të rindërtuara, për të cilën janë investuar 18.924.237 denarë. Prej tyre, pjesa më e madhe ka ndryshuar ngrohjen me dru në ngrohje me kaldajë elektrike, sisteme elektrike VRF – me vendosjen e pompave të ngrohjes”, njoftuan sot nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Në objekte, njoftojnë nga MPB, janë përdorur materiale energjetike, gjegjësisht fasadat termoizoluese dhe zëvendësimi i punimeve të vjetra të drurit me dritare të reja PVC ose alumini.
Në vitin 2020 në Qendrën Policore Gjorçe Petrov, e cila është bazë e Njësisë për Shpërndarje të Shpejtë, përmes instalimit të kolektorëve diellorë për sigurimin e ujit të ngrohtë, është bërë shfrytëzimi i burimeve të ripërtëritshme të energjisë me një investim prej 3.498.700 denarë.
MPB njofton se deri në fund të vitit është planifikuar finalizimi i rikonstruksioneve në DPB Dellçevë, Stacionin Policor Gazi Babë dhe Stacionin Policor Sveti Nikole, ndërsa këtë vit do të fillojnë edhe aktivitetet për renovimin e Akademisë Policore në Idrizovë, shërbimet administrative të televizionit maqedonas, si dhe ndërtimi i objektit të ri të SP Aerodrom.
Po ashtu është duke u zhvilluar edhe instalimi i paneleve diellore për 15 ndërtesa të MPB-së.
Në vazhdimësi monitorohen nevojat dhe mundësitë për gjetjen e zgjidhjeve të reja që do të kontribuojnë në shfrytëzimin racional të energjisë elektrike dhe burimeve energjetike për përfshirje aktive në zvogëlimin e nevojave gjatë një krize potenciale energjetike, thonë nga MPB.

