Shumë më keq sesa keni menduar: Kur nxirrni nga goja gënjeshtrën, truri juaj ndryshon!

Shkencëtarët kanë konstatuar që çdoherë kur dikush e thotë ndonjë gënjeshtër, ndodhin ndryshime brenda trurit

Ndoshta keni vërejtur që akti i vogël i josinqeritetit te disa njerëz me kohë bëhet edhe më i madh. P.sh., personi i cili është i prirë të thotë të pavërteta të vogla, suptile, – gradualisht fillon të shpikë gënjeshtra gjithnjë e më të mëdha, pa fije turpi.

Ekspertët konstatojnë që për këtë ekziston shkaktari biologjik, transmeton Telegrafi.

“Çdo gënjeshtër, sado të vogël që e themi, e ushtron trurin tonë që të lejojë josinqeritetin, andaj në këtë mënyrë në të ardhmen edhe më lehtë të themi të pavërteta edhe më të mëdha”, theksohet në një studim i cili tërheq vërejtjen që josinqeriteti mund të çojë në krime të mëdha.

Studimet e reja, duke u mbështetur në të dhënat empirike, konstatojnë që shpeshtësia e thënies së gënjeshtrave dhe e sjelljeve të pandershme shtohet për shkak të përsëritjeve, andaj në të ardhmen do të thellohen gjithnjë e më shumë.

Shkencëtarët kanë konstatuar që çdoherë kur dikush e thotë ndonjë gënjeshtër, ndodhin ndryshime brenda trurit.

Në të vërtetë, me përsëritjen e gënjeshtrave zvogëlohet ndjeshmëria në pjesën amigdale (grup nervash të lidhura me ndjenjat), të cilat fillojnë të reagojnë më pak ndaj gënjeshtrave dhe josinqeritetit. Në këtë mënyrë gënjeshtra bëhet e lehtë për individin, sepse trurin e tij tashmë e ka “mashtruar”.

Eksperimenti për matjen e josinqeritetit

Shkencëtarët në eksperimentin e tyre për matjen e josinqeritetit kanë përfshirë 80 pjesëmarrës në çifte të ndara. Ata kanë marrë për detyrë që të luanin lojën në të cilën njëri person do t’ia transmetonte informacionin e caktuar personit tjetër, me ç’rast do të përfitonin një dobi të caktuar njëri apo të dy pjesëmarrësit.

Loja ka qenë mjet për studimin e integritetit të pjesëmarrësve.

Rezultatet kanë treguar që pjesëmarrësit kanë qenë të prirë të mashtrojnë në raste kur të dy fitonin ndonjë dobi pas lojës.