Shteti paguan 350,000 euro në vit si kamatë sepse Arsovska nuk e realizon Bus Rapid Transport

Shkup, 26 gusht – Nga buxheti i shtetit paguhen nga 350 mijë euro si kamatë vjetore ndaj Bankës Evropiane për zhvillim sepse kryetarja e Shkupit Danella Arsovska nuk i shfrytëzon paratë nga krediti që Petre Shilegov kishte marë në lartësi prej 70 milion eurove për vendosjen e Bus Rapid Transport, gjegjësisht nuk po e zbaton dhe ndërton metron e autobusëve në Shkup, informon Zhurnal.

Paratë qëndrojnë të paprekura, nuk shfrytëzohen dhe për këtë shteti paguan kamatë, sepse Arsovska që nga ardhja e saj në funksion vitin e kaluar, tha se nuk do ta realizojë këtë projekt. Ajo tha se ky projekt ka qenë e Shilegovit, ndërsa ajo premtoi se do të sjellë 250 autobusë të rinjë ekologjik. Paratë nuk mund të zëvendësohen që të shfrytëzohen për diçka tjetër, sepse në kontratë thuhet se ato janë miratuar pikërisht sepse BRT është vlerësuar lartë nga ekspertët evropianë si projekt i gjelbër i cili do të mundësojë transport të shpejtë ekologjik në qytet.

Nga Ministria e Financave disa herë kanë kërkuar përgjigje nga ARsovska se çfarë planifikon të bëjë me këtë projekt, por ajo i injoron dhe nuk u përgjigjet thirrjeve.

“Implementimi i projektit BRT është në kompetenca të Qytetit të Shkupit, prej ku Ministria e Financave ka dërguar disa herë kërkesa me shkrim por nuk ka marë informatë kthyese për statusin e planeve për realizimin e projekteve. Kushtet për shfrytëzim të mjeteve janë miratuar me marrëveshjen për huamarje. Përshkak se realizimi i projektit nuk ka filluar, në përputhje me marrëveshjen, mjetet nuk janë tërhequr dhe qëndrojnë në llogari të BERZH. Sipas kushteve, kamatë paguhet 0,5% në nivel vjetor”, thonë nga Ministria e Financave.

Kredinë prej 70 milion eurove e kishte marë shteti ndërsa ishte nënshkruar nga Fatmir Besimi, nga Bllagoj Boçvarski, Petre Shilegov dhe përfaqësuesi i BERZH në Maqedoni, Andi Aranitasi. Sapo erdhi në krye të Qytetit, Arsovska e ndërpreu këtë projekt.

Ajo përpos institucioneve, shmangë edhe pyetjet e gazetarëve lidhur me këtë projekt.

Ndryshe BRT duheshte të ketë dy linja, nga Gjorçe Petrovi deri në Lisiçe dhe nga Buteli në Kisella Vodë. Koha e udhëtimit do të përgjysmoheshte./Zhurnal.mk