Shqiptarët në vitin 1929: Koleksioni fotografik i Hugo Bernatzikut

Nga: Robert Elsie

Etnologu, fotografi dhe udhëpërshkruesi austriak, Hugo Bernacik (Hugo Adolf Bernatzik, 1897-1953), lindi në Vjenë, bir i juristit Edmund Bernacik (1854-1919). Kontaktet e para me shqiptarët i pati që para Luftës së Parë Botërore në Stamboll, ku njohu djemtë e rojeve të sulltanit.

Hugo Bernaciku shkoi në Shqipëri për herë të pare në vitin 1914 gjatë pushtetit të shkurtër të Princ Vidit (Wilhelm zu Wied, 1876-1945). Në vitin 1915, kur ndodhej përsëri në Shqipëri, shërbeu vullnetar në ushtrinë austro-hungareze me një njësi artilerie. Edhe në dhjetor 1917 ishte sërish në tokën shqiptare me gradë togeri.

Kënetat e bregdetit shqiptar e tërhoqën shumë, sepse interesohej për natyrën dhe për zogjtë. Bernaciku braktisi studimin e mjekësisë në Universitetin e Vjenës, sepse preferonte të udhëtonte dhe të zbulonte botën. Gjatë periudhës 1923-1930 shkoi katër herë në Afrikë (Afrika e veriut, Egjipti, Sudani jugor dhe Somalilandi) dhe më vonë në Pacifikun jugor dhe në Guinenë e Re (1932-1933), në Azinë juglindore (1936-1937) dhe në Lapland (1938). Nga këto udhëtimet dolën botime shkencore, udhëpërshkrime dhe fotografi tërheqëse.

Bernaciku i financoi udhëtimet e veta duke u shitur fotografi të udhëtimeve, gazetave dhe revistave.

Në vitin 1930 filloi të studionte etnologji, psikologji dhe gjeografi në Universitetin e Vjenës dhe atje mbaroi doktoraturën në vitin 1932. Në vitin 1939 ishte profesor i Universitetit të Gracit (Graz). Si përkrahës i etnologjisë së aplikuar, Hugo Bernacik u bë në atë kohë një ndër etnologët më të spikatur të botës gjermane. Pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë së cilës ishte anëtar i partisë naziste, udhëtoi në Marok (1949-1950) ku e zuri një sëmundje tropikale nga e cila vdiq më vonë në Vjenë. Në lagjen 19 të kryeqytetit austriak ekziston një rrugë me emrin e tij, Bernatzikgasse.

Në vijim të një qëndrimit në deltën e lumit Danub në Rumani ku shkoi për zogjtë, Hugo Bernaciku erdhi përsëri në Shqipëri ku qëndroi nga 24 prilli deri me 6 korrik 1929. Të dhënat bazë mbi kushtet e jetës së vendit, Bernaciku i mori nga gjeologu gjerman Ernst Novak (Ernst Nowack, 1891-1946), i cili e këshilloi që të kontaktonte të dërguarin gjerman në Tiranë, Franc fon Shajger (Franc von Scheiger, 1891-1960). Bernaciku ishte në kontakt, gjithashtu, edhe me çifligarin shqiptar Ago Agaj (1897-1994), me të cilin doli për gjueti zogjsh në Myzeqe. I pajisur me një çadër, një kajak dhe një aparat fotografik, Bernaciku kaloi plot dy muaj në Shqipëri. Rezultati i udhëtimit të tij ishin dy libra: Riesenpelikane und ihre Kinder (Pelikanët e mëdhenj dhe fëmijët e tyre), Vjenë 1930, një album i vogël dhe tani i harruar për pelikanët e kënetës së Maliqit; dhe Europas vergessenes Land (Shteti i harruar i Evropës), Vjenë 1930, i cili doli në tirazhin e katërt të zgjeruar me titullin Albanien: das Land der Schkipetaren (Shqipëria, vendi i shqiptarëve), Vjenë 1939. Fotografitë e këtij koleksioni janë marrë prej këtij vëllimi të fundit.

P.S. Koleksionin e plotë të fotografive mund ta gjeni: Këtu.

Veku kosovar. Gratë thurin modele shumëngjyrëshe me këto mjete të lashta primitive.

Gruaja shqiptare nga Kosova që ofron për shitje qëndisjet e veta.

Emigrantja shqiptare nga Kosova, që tjerr leshin dhe në të njëjtën kohë tund djepin me këmbë.

Gra fshatare që bashkë me fëmijët marrin pjesë në një festë.