Shqiptarët në Ballkan: tre kryeministra dhe një avokat populli

Shkup, 29 prill – Parlamenti i Malit të Zi dje në mbrëmje miratoi qeverinë e re të vendit, kryeministër i së cilës do të jetë Dritan Abazoviç. Me këtë vendim të Parlamentit Malit të Zi, Abazoviç bëhet kryeministri i tretë shqiptar në Ballkan. Ideja e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut për kryeministrin shqiptar u bë realitet në Mal të Zi, shkruan Zhurnal.

Me këtë të fundit shqiptarët po bëhen me tre kryeministra në Ballkan, tre kryetar Kuvendesh, dy presidentë, nuk duhet të lihet në harresë edhe një kandidat për kryeministër nga Maqedonia e Veriut, Naser Ziberi, i cili duke kërkuar vota të popullit për kryeministër përfundoi në avokat të popullit.

Kjo është edhe arsyeja që më së shumti zgjedhjes së Abazoviçit i gëzohen shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, sepse kjo ide buron nga Maqedonia e Veriut por u realizua në Mal të Zi.

Të arriturat e shqiptarëve kudo nuk janë vetëm suksese, sepse arritjet pas vuajtjeve janë fitore. Deri më tani populli shqiptarë ka qenë i shtypur i sunduar nga gjithkush. Tani filluan vitet e shqiptarëve e për shqiptarët, përfunduan vuajtjet e keqtrajtimet. Shqiptarët filluan me arsimim e gjetën rrugën e shpëtimit e arritën në pozita kyçe udhëheqëse shtetërore në shtete të ndryshme.

Mbase mund të duket simbolike çështja e kryeministrave shqiptarë, por për një popull që ka përjetuar gjenocide e luftëra për drejtësi e pavarësi, për çlirim e për liri, kjo simbolikë është fitore mbarë shqiptare.

Qeveria e re në Mal të Zi u zgjodh me votat e deputetëve të Partisë Demokratike të Socialistëve të presidentit Millo Gjukanoviq, Partisë Popullore Socialiste, Lëvizjes Qytetare URA, Partisë Socialdemokrate, Partisë Boshnjake, partive shqiptare dhe Partisë Liberale. Vetëm deputetët e Socialdemokratëve të Malit të Zi ishin kundër.

Deputetët e partisë pro-serbe Fronti Demokratik dhe Partisë që drejtonte qeverinë e mëparshme, Demokratët e Malit të Zi, nuk morën pjesë në seancë.

45 deputetë nga 81 gjithsej votuan në favor të qeverisë së re, ndërsa 3 votuan kundër.

Duke paraqitur programin e punës të qeverisë së 43-të të vendit gjatë seancës, Abazoviç vuri në dukje, se ajo do të bazohet në dy shtylla kryesore – shtetin e së drejtës dhe zhvillimin ekonomik.

“Sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik do të jenë dy shtyllat kryesore të qeverisë së re. Ato kanë pesë fusha prioritare të veprimit dhe ato janë: lufta kundër korrupsionit, investime më të qëndrueshme, integrimi në Bashkimin Evropian, zhvillimi i qëndrueshëm dhe mbrojtja e mjedisit”, tha Abazoviç.

Abazoviç tha se vetëm me mirëkuptim të ndërsjellët, respekt dhe gatishmëri për të vënë interesin shtetëror para interesave personale dhe partiake, vendi mund të ecë përpara.

Ndër prioritetet e qeverisë ai theksoi “Marrëveshjen për zgjedhjen e bartësve të pozitave më të larta gjyqësore, marrëveshjen për krijimin e organeve dhe institucioneve shtetërore përgjegjëse dhe funksionale në të cilat do të nënkuptohet sjelljet e ligjshme; harmonizimin e legjislacionit në fushën e drejtësisë me standardet e Komisionit Evropian dhe opinionet e Komisionit të Venecias; Ligji për ekzaminimin e origjinës së pasurisë “etj.

Qeveria do të ketë 18 ministra dhe katër zëvendëskryeministra. Po ashtu në qeverinë e Abazoviçit do të ketë edhe dy ministra shqiptarë, ministrin për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave është zgjedhur kreu i Partisë Demokratike, Fatmir Gjeka, si dhe ministër i Administratës Publike është zgjedhur Marash Dukaj – Alternativa Shqiptare.

Në seancën e paradites së djeshme, parlamenti zgjodhi Danijela Gjuroviqin, nga radhët e Partisë Popullore Socialiste, si kryetare të parlamentit.

Qeveria e re pason atë të ish kryeministrit Zdravko Krivokapiq, i cili humbi votëbesimin në dhjetor të vitit 2020. Rrëzimi i qeverisë pasoi krizën disamuajshe në marrëdhëniet mes parlamentit dhe qeverisë, si dhe brenda vetë qeverisë.

Ajo që flitet e pritet është që tani edhe në Maqedoninë e Veriut do të ketë kryeministër shqiptarë sipas marrëveshjes për qeverisje mes BDI-LSDM, ku në marrëveshje është e shkruar që gjatë qeverisë teknike 100 ditë para zgjedhjeve do të ketë kryeministër shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Sepse me këtë ide pati garuar në zgjedhjet e vitit 2020 BDI duke kërkuar një kryeministër shqiptarë me parullën “PSE JO” me kandidat Naser Ziberi, i cili tani është avokat i popullit. Mbetet të shihet ky zotim i dhënë a do të përmbushet.

Nëse realizohet edhe kjo, në Ballkan nga gjashtë shtete do të jenë katër kryeministra shqiptarë, në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe në pritje të kryeministrit shqiptarë në Maqedoninë e Veriut./Zhurnal.mk