Shqiptarët kundër modelit me një njësi zgjedhore

Shkup, 27 nëntor – Kundër ndryshimit të modelit zgjedhor janë shprehur partitë shqiptare pasi druajnë se me modelin me një njësi zgjedhore mund të humbin vota të zgjedhësve shqiptarë. Votuesit shqiptarë janë të përqendruar në tri nga gjashtë njësi zgjedhore, edhe atë në njësinë 2, 6 dhe 5, që përfshijnë të gjithë pjesën veri-perëndimore të vendit, shkruan Zhurnal.mk.

Kryesisht partitë shqiptare i nxjerrin nga njësia numër 6-të që përfshinë Tetovën dhe Gostivarin, ndërsa nga njësia 2 dhe njësia pesë zgjedhin gjysmën tjetër të deputetëve.

Fillimisht besohej se me një njësi zgjedhore shqiptarët mund të fitojnë deri në 30 deputetë, por me migrimet e fundit, duket se frika është shtuar tek të gjitha partitë. Nëse ekziston një njësi zgjedhore, atëherë shqiptarët duhet të kërkojnë deputetë në bazë të përqindjes së votave që kanë marrë nga 120 deputetë sa janë gjithsej. Kjo i bie që nëse në nivel të përgjithshëm dalin të votojnë rreth 1milionë votues, atëherë duhet që 8-9 mijë vota t’i ketë çdo deputet, e këtë mund mos ta arrijnë shumë parti politike. Ndërsa me ruajtjen e modelit me gjashtë njësi zgjedhore, pragu për të kaluar si deputet caktohet nga numri i përgjithshëm i votuesve që kanë votuar brenda asaj njësie zgjedhore. Psh. Nëse në njësinë zgjedhore 6, dalin të votojnë 150 mijë votues, atëherë pragu i deputetëve është 7.5 mijë vota, e jo 8-9 mijë vota sa mund të jenë në nivel republikan.

Bashkimi Demokratik për Integrim preferon të mbetet sistemi aktual me 6 njësi zgjedhore përderisa partia shqiptare në opozitë Aleanca për Shqiptarët, konsideron se përfaqësimi i shqiptarëve do të ishte më i denjë përmes 8 njësive zgjedhore.

Ndërkaq, partia maqedonase në pushtet Lidhja Social Demokrate para se të vijë në pushtet është zotuar se do të angazhohet për modelin zgjedhor me një njësi zgjedhore, ndërkohë që aktualisht mbron qëndrimin se për këtë duhet arritur konsensus me partitë politike relevante.

VMRO DPMNE-ja thotë se do të mbështesë draft-ligjin e propozuar nga partitë më të vogla me kusht që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Asnjëri sistem nuk është perfekt, por duhet të merren shembujt më të mirë edhe nga vendet e rajonit se si të veprohet në të ardhmen.

Misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR-së në vazhdimësi ka kërkuar që ndryshimet të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Janë gjithsej 32 rekomandime që sugjerojnë një Komision të përhershëm zgjedhor, procedura të qarta dhe transparente të emërimit, udhëzime të qarta për regjistrimin e votuesve, komisionit kundër korrupsionit t’i sigurohen burime njerëzore dhe financiare që në mënyrë efikase të kryejë punë gjatë zgjedhjeve, të hiqet varësia e televizionit publik nga buxhetit i shtetit, e çështje tjera.

Ndryshe që nga momenti kur është miratuar Kodi Zgjedhor, ai është ndryshuar 36 herë dhe asnjëherë nuk është arritur të bëhet një model i mirë. Këtë e pamundësojnë partitë e mëdha politike të cilat zotohen se do të mbështesin kërkesën për një njësi zgjedhore, ndërsa në anën tjetër punojnë që kjo të mos ndodhë.

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor fokusin kryesor duhet ta kenë tek e drejta e votës, pasi në të gjitha ciklet zgjedhore, janë regjistruar shkelje nga më të ndryshmet në të drejtën e votës, përfshirë mohimin e votimit dhe për këtë, shkruan Zhurnal.mk.