Shqiptarë te partitë maqedonase/ LSDM e nisi në Haraçinë, VMRO- DPMNE nga Saraji. Pse? Si?
Shkup, 3 mars – Organizata e Brendshme Revolucionare Maqedonase – Partia Demokratike për Unitetin Kombëtar Maqedonas, apo e njohur si VMRO- DPMNE është parti në Republikën e Maqedonisë së Veriut e njohur për konzervatizmin e saj dhe ideologjinë nacionaliste që e ndjekin që nga themelimi i saj. Së fundmi, të rinj të kësaj partie kanë, simpatizantë të saj, kanë lidhur flamurin partiak me atë të shqiptarëve, duke bërë kështu me dije se po i afrohen elektoratit shqiptar.
Ky lajm në mediat tona kaloi si një lajm i zakontë pa bërë zhurmë. Pa asnjë reagim. Dhe kjo situatë shtron disa pyetje: Është me rëndësi lufta ruso- ukrainase që ka marrë vëmendjen e botës? Janë rritjet e çmimeve që kanë tërhequr vëmendjen e opinionit publik, apo tashmë kur LSDM në strukturat e saj ka mjaftueshëm shqiptar, nuk është interesant edhe nëse Janko Baçev lidh flamurin e tij me atë shqiptar?
“Shqiptar nga Saraji i bashkëngjiten VMRO-DPMNE-së”, titull lajmi që kaloi heshturazi në labirinthin e opinionit publik shqiptar. Ndoshta titujt e mëparshëm e periudhës së fundit se shumë shqiptarë po kalojnë në LSDM kanë krijuar imunitet dhe tashmë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë hapur dhe vijat etnike nuk i pengojnë për anëtarësim në parti të cilët veten e konsiderojnë ideologjikisht të pastër maqedonase, shkruan Zhurnal.
Kjo për VMRO-në mund të jetë e favorshme, sepse i përdor shqiptarët për të dëshmuar se nuk është më ajo e Gruevskit- albanofobja. VMRO tashmë dukshëm e ka mësuar leksionin se shqiptarët janë faktor i fortë politik dhe te shqiptarët merret “amini” për formimin e çfarëdo konstelacioni qeveritar. Prandaj, jo e rastësishme gjuetia e tyre ne vendbanime shqiptare. LSDM e kishte nisur në Haraçinë, sot VMRO-DPMNE në Saraj.
LSDM, parti e majtë, e kishte më lehtë të arsyetojë hapjen e saj si ndaj shqiptarëve ashtu edhe ndaj komuniteteve tjera në Maqedoninë e Veriut, luksin ia jipte edhe ideologjia partiake e çliruar prej nacionalizmave. Mandej edhe momenti historik, nëse mund ta quajmë kështu, për ta rrëzuar autokratin Nikolla Gruevski. Shqiptarët te LSDM panë të vetmen rrugë për ta rrëzuar Gruevskin. Kështu, deri më sot, LSDM e shfrytëzon mjaftë mirë këtë situatë veç kësaj edhe partneritetin me BDI-në e mban në nivel. BDI dhe shqiptarët nuk kishin hapësirë politike më të madhe, por edhe sasiore, në ekzekutiv asnjëherë më parë. Sot ekzekutivi është i ndarë 50/50 mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Bazuar në këtë, VMRO do të punojë mjaftë për të hyrë në këtë terren.
Por, sa është ideologjia partiake e VMRO-së e hapur për këso gjërash? Por, edhe përkundër kësaj, a mundet një shqiptar t’i afrohet kësaj partie marrë parasysh profilizimin VMRO-ian?
VMRO- DPMNE është parti demokristiane. Parti e unitetit kombëtar maqedonas që mbron dhe kultivon trashëgiminë e popullit maqedonas. Për t’u bërë anëtarë i partisë, sipas statutit të tyre, duhet t’i pranosh përcaktimet ideologjike dhe programore të partisë.
Shqiptarët as për nga kultura politike po as nga ajo e përgjithshme asnjë pikëprerje nuk kanë me VMRO-DPMNE-në. Përgjigja logjikisht është shumë e thjeshtë: Shqiptarët në VMRO anëtarësohen, sepse e shohin si mjet për të ardhur në pushtet, do të thotë për të ushqyer egon. Një soj shqiptarësh që kanë dështuar për të shijuar ekzekutivin nëpërmes ndonjë partie shqiptare apo të LSDM-së. Dhe kuptohet interesi është i ndërsjellë, VMRO për të marrë një pjese të elektoratit shqiptar, si garanci për pushtet por edhe si lavd ndaj faktorit ndërkombëtar se ja jemi të hapur për të gjithë, do jemi inkluziv, e kështu me radhë. Në këtë mënyrë pretendojnë të fshijnë njollat e të qenurit parti anti shqiptare, anti Marrëveshjes së Prespës, anti Marrëveshjes së miqësisë me Bullgarinë … e kështu me radhë, shkruan Zhurnal.
Çuditërisht, as partitë shqiptare nuk reaguan. Mendim, thjesht. Për pyetje shumë të thjeshta, po aq sa vitale.
Në Maqedoninë e Veriut frekuentojnë parti politike shqiptare të profileve të ndryshme, nga ato konzervative deri te të gjelbra apo liberale.
Si mundet një shqiptar i Sarajit, nga një rreth konzervativ shqiptaro -mysliman të strehohet në një çerdhe konzervative demokristiane maqedonase? Debati rreth çështjes në fjalë nuk duhet të vonohet. /Zhurnal.mk

