Shpenzimet rriten për 12% të ardhurat kanë stagnuar, viti 2022 më i keq se ai paraprak
Shkup, 7 qershor – viti 2022 edhe më i keq se sa i paraprak 2021 kur vendi përballej me valën e tretë e të katër të virusit Korona, tani më kriza shëndetësore nuk po përmendet fare, sepse i tërë vendi e secili qytetarë është kapluar thellë nga kriza ekonomike. Rritja e çmimeve, stagnimi i pagave janë shtytësit kryesor që qytetarët janë të dorëzuar dhe mezi po ia dalin me menaxhimin e jetës në Maqedoninë e Veriut. Shpenzime rriten por jo edhe të ardhurat, kjo diskrepancë krijon vrull dhe reflekton me kërkim zgjidhjeje jashtë vendit. Bëhet fjalë për periudhën pas 24 shkurtit ku vendi ynë nuk është se ka ndonjë varësi të madhe tregtare e ekonomike nga Ukraina e cila u sulmua nga Rusia, atje po zhvillohet luftë, te ne luftë indirekte sepse edhe qytetarët po luftojnë për të mbijetuar në periudhën e valës së kësaj krize ekonomike që ka kaluar limitet e normalitetit, shkruan Zhurnal.
Shpenzimet e jetesës në Maqedoninë e Veriut gjatë majit të këtij viti, krahashuar me muajin e kaluar janë rritur për 2%, ndërkaq çmimet me pakicë për 1.5%. Në krahasim me majin e vitit të kaluar, shpenzimet e jetesës janë më të larta për 11.9%, ndërkaq të pakicës për 12.1%, informojnë nga Enti Shtetëror i Statistikave(ESHS).
Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, ka rritje të indeksit të shpenzimeve të jetesës në maj të vitit 2022, në krahasim me muajin e kaluar.
“Vaji dhe yndyrat janë rritur për 6.7%, sheqeri, xhemi, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat për 6.2%, qumështi për 5.4%, buka dhe drithërat për 3.7%, kafeja, çaji, kakao për 3.1%, djathi dhe gjiza për 2.9%, uji mineral, pijet e gazuara, lëngjet nga frutat dhe perimet për 2.7%, frutat e freskëta dhe të ngrira për 2.6%, mishi për 2.5%, peshku dhe ushqimi i detit për 2.3%, perimet e freskëta dhe të ngrira për 1.6%, produkte ushqimore të paspecifikuara apo të përfshira diku tjetër për 1.1%, birra për 1.0% pijet alkoolike për 0.5% dhe vera për 0.3%”, thonë nga ESHS.
Në maj, gjithashtu ka pasur rritje të shpenzimeve të jetesës edhe te shërbimet mjekësore për 19%, shërbimet për akomodim 7.5%, derivatet dhe vajrat motorik për 7.4%, bizhuteritë, orët, orët e dorës për 7.0%, derivateve të lëngshme për amvisëri për 5.8%, shërbimet për amvisëri për 5.7%, aranzhmanet turistike për 4.3%, këpucët 3.3%, riparimi i këpucëve 2.6%, prodhimet për amvisëri – jo të qëndrueshme për 2.5%, aparatet tjera për higjienë personale 2.2%, pastrimi, riparimi i veshjeve, gazit për amvisëri, salloneve të bukurisë dhe qendrave për zbukurim për 1.7%.
Është evidentuar edhe rritje e mobilieve dhe mallrave tjera shtëpiake për 1.6%, materialeve për zyra dhe materialeve për vizatim për 1.5%, biçikletave për 1.2%, rrobave tjera dhe shtesave për rroba, automjeteve motorike për 1.1%, tekstilit për amvisëri për 1.0%, materialit për mirëmbajtje dhe rinovim të vendbanimit 0.9%, aparatet e mëdha elektrike për amvisëri për 0.8%, ndihmuesit e ndryshëm terapeutik dhe pajisjeve të ndryshme për pranim, incizim dhe riprodhim të zërit dhe fotografisë 0.7%, enët e qelqta, enët e kuzhinës dhe pajisjet tjera, prodhimet farmaceutike, shërbimet mjekësore, mediat për incizim, lojërat dhe hobi, shërbimet për rekreim dhe sport, materialet tjera të shtypura, restorantet, kafeteritë dhe ngjashëm për 0.6%, veglat e vogla dhe shtesat tjera për 0.5%, materialet për përpunim të rrobave, rinovim të mobilieve, mbulesave të dyshemeve dhe produktet e ngjashme për 0.4%.
Gjithashtu edhe rrobat, shërbimet për mirëmbajtje dhe rinovim të vendbanimit, shërbimet stomatologjike, mirëmbajtje dhe rinovim të mjeteve transportuese private, pajisjet informatike për përpunim të të dhënave për 0.3%, aparatet e vogla elektrike për amvisëri, veglat e mëdha dhe pajisjet, shërbimet për kulturë dhe mjete tjera personale për 0.2%.
Sipas ESHS indekset e shpenzimeve të jetesës në maj të vitit 2022, në krahasim me muajin e kaluar kanë shtrenjtim edhe te transporti ajror i udhëtarëve për 10.5%, çerdhet, bimët dhe lulet për 2.4% dhe aparatet elektrike për higjienë personale për 1.2%.
Situatë jo e lehtë për tu përballuar për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, pasi rritja e çmimeve u bë traditë e zakonshme madje edhe javore që çdo javë pothuajse kishte ndryshim çmimesh, nuk dihej se cilat masa dhe çfarë ndikimi kishin ato masa antikrizë të marra nga Qeveria, sepse në praktikë secili qytetarë është në krizë të thellë. Shpenzimet mujore me të hyrat janë në një diskrepancë shumë të madhe me çka qytetarët edhe po dëshpërohen dhe shpresë po kërkojnë jashtë vendit.
Vendi është thelluar në krizë të shumëfish, por kriza ekonomike është ajo e cila i dëmton më së shumti qytetarët, ngritja e çmimeve nuk ka të ndalur, vazhdon sërish. Megjithatë, kjo krizë ekonomike dita ditës po bëhet e pa përballueshme për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, meqë mungesa e një strategjie dhe plan veprimit në situata të tilla për tejkalim sa më të lehtë që qytetarët mos të dëmtohen, në vendin tonë janë të parët qytetarët që dëmtohen nga rritja enorme e çmimeve të ushqimeve bazë. Vaji, qumështi, buka, vezët, orizi janë rritur sërish edhe pse kanë pasur çmime tejet të larta, madje vaji kushton shumë më shtrenjtë në Maqedoninë e Veriut se sa në Gjermani, ndërkaq të ardhurat këtu dhe atje dallojnë shumëfish herë.
Shpresa e ka humbur rrugën në Maqedoninë e Veriut, madje është absurditet të dëgjohet prej ndokujt që shpreson që gjendja do të ndryshoj në aspekt pozitiv. Të rinjtë nuk shohin të ardhme, të punësuarit të pa kënaqur me pagat, të moshuarit me pensione që as për kontrolle mjekësore nuk janë të mjaftueshme.
Pra, e gjithë kjo katrahurë shkakton krizë edhe më të thellë në Maqedoninë e Veriut, që do të futemi në “krizë qytetarësh”, ku vendi do të zbrazet dhe do të bëhet i pa banueshëm. /Zhurnal.mk

