Shpenzimet me të ardhurat nuk përputhen, të rriten pagat para se të rritet dëshpërimi!
Shkup, 11 janar – Për një familje prej katër anëtarëshe në dhjetor të vitit të kaluar kanë qenë të nevojshme 51.235 denarë për të plotësuar shportën sindikale minimale, apo përafërsisht 840 euro. Nga ana tjetër kemi pagë minimale 18.000 denarë, apo afërsisht 300 euro, kjo diskrepancë nga të ardhurat dhe shpenzimet e vështirëson jetesën edhe më shumë. Nëse nuk vazhdon të rritet paga minimale në harmonizim edhe me pagat tjera do të rritet niveli i dëshpërimit edhe më shumë. Kjo pastaj përkthehet me revoltë të pashmangshme nga qytetarët duke vendosur ta braktisin vendin drejt kërkimit të një jete normale e ku jetohet dhe jo mbijetohet. Shoqëria në Maqedoninë e Veriut është e ndarë në dy shtresa, shumë të varfër që janë edhe numri më i madh i qytetarëve dhe në shumë të pasur që janë numër i vogël i qytetarëve, klasa e mesme vështirë të gjendet në këtë mesë e në këtë shoqëri, shkruan Zhurnal.
Sa para janë të nevojshme për një familje katër anëtarëshe për një muaj?
Për një familje prej katër anëtarësh në dhjetor të vitit të kaluar kanë qenë të nevojshme 51.235 denarë për të plotësuar shportën sindikale minimale. Sipas llogaritjeve të Lidhjes së Sindikatave së Maqedonisë (LSM), në dhjetor të vitit 2022 për një familje prej katër anëtarë kanë qenë të nevojshme 19.226.11 denarë për ushqim dhe pije, 13.093,22 denarë për banim, 3.050.95 denarë për mirëmbajtjen e higjienës, ndërsa 3.668 denarë për transport. Për veshmbathje një familje një dhjetor është dashur të ndajë 2.255.15 denarë, për kulturë 1.067.86 denarë, ndërsa për ruajtjen e shëndetit 801,29 denarë.
“Gjithsej për një familje katër anëtarëshe gjithsej kanë qenë të nevojshme 43.163,17 denarë për të plotësuar shportën sindikale minimale, dhe kur kësaj i shtohen edhe shpenzimet e jetesës, gjegjësisht inflacioni prej 18.7 për qind ose 8.071.51 denarë, vjen deri te shifra prej 51.234.68 denarë, saktësojnë nga LSM-ja.
Nga kjo kuptohet që kemi të bëjmë me një standard jetese ende jo në nivelin e dëshiruar, pasi shpenzimet nuk janë në përputhje me të ardhurat, dhe në këtë formë nga ky proporcion jo i drejtë krijohen pakënaqësi të shumta në funksionim si dhe në përmbushjen e detyrimeve që janë edhe esenciale.
Në kohën kur kriza ekonomike ka kapluar vendin, inflacion sa shkon e rritet edhe më shumë, pagat minimale janë 18.000 denarë, bie që me këtë pagë nuk mund të jetojnë as dy persona apo një çift, pastaj edhe planifikimi familjar vështirësohet edhe më shumë. Jo rastësisht vendi është në varfëri ekstreme pasi në shumë familje ka vetëm nga një të punësuar që merr pagë minimale që minimizon mundësitë e përmbushjes së detyrimeve familjare dhe qëllimeve.
Krahas, shpenzime të rritura edhe pagat minimale në harmonizim me pagat tjera duhet të rriten në të kundërtën, poqë nuk u rriten pagat do të rritet dëshpërimi i qytetarëve. Posaçërisht të rinjve që nuk do vendosin të vazhdojnë të mbijetojnë në këtë vend me gjithë këto vështirësi, por do të zgjedhin të largohen e ta braktisin vendlindjen në kërkim të një jete normale, se jo më të mirë sepse këtu nuk e kanë fare mirë.
Inflacioni është në rritje në Maqedoninë e Veriut dhe me këtë pritet të rritet numri i qytetarëve të varfër-
Kostoja e jetesës po rritet me shpejtësi të madhe saqë qytetarët edhe po zihen në befasi. Jemi dëshmitarë se çmimet e shumë produkteve ushqimore janë rritur jashtëzakonisht shumë, edhe përkundër faktit që së fundmi kemi një masë për uljen e çmimit të bukës për 4 denarë, sërish gjendja e çmimeve mbetet shqetësim kryesor i qytetarëve. Si gjithmonë, më të prekurit do të jenë ata që deri tani kanë jetuar me të ardhura të ulëta, ose fare pa të ardhura që kanë qenë nën mëshirën e humanizmit.
Tashmë po bëhen llogaritë se për çfarë kemi para dhe për çfarë nuk kemi dhe po bëhen kompromise për cilësinë e ushqimit dhe strehimit. Pritet që një pjesë e qytetarëve të cilët në të kaluarën ishin në rrezik të varfërisë të bien nën pragun dhe po pritet të rritet numri i të varfërve. Fatkeqësisht, qytetarët që ende jetojnë nën atë vijë do të gjenden në një situatë edhe më të pafavorshme, pa kushte minimale për një jetë me dinjitet.
Ndryshe, me këtë dinamikë ekonomike numri i qytetarëve të varfër vetëm se do të rritet edhe më shumë, ndërkaq ata që veçmë janë të varfër do ta kenë edhe më të vështirë të përballen me shpenzimet e përditshme që tashmë janë veçse me çmime shumëfish më të larta.
RMV e ka inflacionin më të lartë në rajon-
Inflacioni mesatar në periudhën janar – gusht 2022 ishte 11,6% në nivel vjetor dhe kryesisht rezulton nga faktorë të jashtëm në anën e ofertës, njofton Banka Popullore e RMV-së.
Prej atje theksojnë se kontributin më të madh në rritjen e inflacionit të brendshëm e ka rritja e çmimeve të importit të ushqimeve dhe energjisë, duke përfshirë çmimin e brendshëm të energjisë elektrike dhe atë termike, të cilat janë ndikuar nga zhvillimet në tregun botëror të energjisë.
Qeveria lavdërohet se falë masave të saj, nga muaji gusht paga mesatare në vend është rritur për 11.3%, ose për 3.229 denarë dhe arrin shumën prej 31.871 denarëve. Qeveria thekson rritja e vazhdueshme e pagës mesatare është rezultat i masave dhe politikave ekonomike të zbatuara për rritjen e mesatares dhe pagës minimale, e cila është 18.000 denarë.
Ndërkohë opozita maqedonase kritikon pushtetin. Sipas kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, paga për qytetarët nuk është arritur aspak, por përkundrazi, ajo është zvogëluar për më shumë se 7%. Kjo sipas Mickovskit për shkak të rritjes së inflacionit, i cili në vendin tonë ka rritje më të madhe në rajon.
Inflacioni në muajin gusht, muajin të cilin e krahason Kovaçevski, është 18.7% dhe bindshëm është më i larti në rajon, nuk ka shkallë më të lartë të inflacionit. Që do të thotë se nëse paga mesatare është rritur për 11,1 për qind siç thotë Kovaçevski, rritja reale është minus 7,6%. Për shkak se keni inflacion prej 18.7 për qind, ndërsa rritja është shumë më e vogël nga ai inflacion. Dhe ja që të jem më i saktë, qumështi, buka, veza, vaji janë rritur për 18.7 për qind, ndërsa shumën e parave që e ka marrë ai që i blen këto produkte është 11.1. që do të thotë kemi më shumë shpenzime, ndërsa pagë më të vogël, ka thënë Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Megjithatë, qytetarët e Maqedonisë së Veriut me jetën luksoze duhet të përshëndeten sepse kemi të bëjmë me mbijetesë. Mbase, kjo krizë ekonomike nuk ka ardhur rastësisht, e as nuk largohet befasisht sepse ndikim direkt ka angazhimi i Ministrisë së Ekonomisë, Financave, si dhe e gjithë Qeveria që kjo futje në këtë krizë të ketë një përfundim sa më shpejt që është e mundur. Si dhe të dilet nga kriza me metoda të posaçme të cilat do ta kishin ringjallur ekonominë e vendit. /Zhurnal.mk