Shpallja e fituesve të çmimit “Babilon” për përkthyesin më të mirë të ri

Shkup, 26 shtator – Me rastin e Ditës Evropiane të Gjuhëve – 26 Shtatori, sot në hapësirat e Shtëpisë Evropiane – Shkup, do të shpallen fituesit e çmimit të nëntë për përkthyesin më të mirë të ri “Babilon”, të organizuar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe Shoqata e Përkthyesve dhe Interpretuesve SHPRM.

Siç është paralajmëruar, çmimet do t’i dorëzojnë shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian, Dejvid Gir, profesori në Fakultetin Filologjik “Blazhe Koneski” – Shkup dhe ambasador i Çmimit “Babilon” për vitin 2022, Vlladimir Martinovski, si dhe kryetari i Bordit organizativ të çmimit “Babilon” dhe anëtar i Shoqatës së Përkthyesve dhe Interpretuesve SHPRM, Nikolla Gjelinçeski.

Qëllimi i këtij çmimi, i cili këtë vit ndahet për herë të nëntë, është promovimi i përkthyesve të rinj, si dhe nxitja e cilësisë në përkthimin e veprave letrare.

Konkursi është i hapur për përkthyes të rinj deri në moshën 26 vjeçare, ndërsa veprat duhet të jenë përkthime të veprave letrare në një nga 24 gjuhët zyrtare të Bashkimit Evropian në cilëndo nga gjuhët që fliten në vend.

Në këtë ngjarje do të shpallet edhe edicioni i dhjetë jubilar i Çmimit të Përkthyesve më të Mirë të Ri “Babilon”, si dhe do të shpallen edhe kriteret e detajuara për Çmimin 2023.