Shkupi dëbon edhe një diplomat rus, MPJ-ja nuk mohon dhe nuk konfirmon rastin

Shkup, 16 gusht – Një tjetër përfaqësues rus në shtetin tone, mësohet të jetë përzënë ditëve të fundit, për shkelje të konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike. Burimet e ALSAT bëjnë të ditur se bëhet fjalë për një zv/atashe ushtarak, dhe kërkesa për dëbimin e tij është shqyrtuar të mërkurën e kaluar nga autoritetet vendore. ALSAT kontaktoi me ministrinë e Jashtme prej nga as konfirmuan por as nuk mohuan rastin në fjalë, as emrin dhe as veprimet kundërvajtëse në kuadër të Konventës së Vjenës.

Megjithatë, nga kjo zyrë theksuan se: “Ministria e Punëve të Jashtme, në bazë të kompetencave të saj, ndërmerr të gjitha masat dhe aktivitetet e duhura në përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike me qëllim të mbrojtjes së sigurisë kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe mbrojtjen e duhur të rolit dhe përgjegjësisë si vend anëtar i Aleancës së NATO-s”.- Advertisements –

Në fund të marsit, një tjetër diplomat rus u shpall non-grata dhe u deportua në bazë me nenin 9 të Konventës së Vjenës për marrëdhëniet diplomatike. Kjo nxiti reagimin e Moskës Zyrtare, e cila në fillim të qershorit shpalli non-grata përfaqësues diplomatik të Maqedonisë së Veriut.