Shkarkohet shefja e spiunazhit në Spanjë, Paz Esteban

Qeveria spanjolle ka shkarkuar shefen e spiunazhit të vendit, Paz Esteban, teksa përpiqet të përmbajë pasojat e një skandali të spiunazhit kibernetik që ka përfshirë koalicionin qeverisës dhe ka ngritur pyetje të mëtejshme në lidhje me përdorimin e spyware-it të diskutueshëm Pegasus në Spanjë dhe më gjerë.

Sipas The Guardian, shkarkimi i Esteban të martën erdhi mes tensioneve politike në rritje dhe pothuajse dy vjet pasi një hetim i përbashkët nga Guardian dhe El Pais zbuloi fillimisht se politikanët e lartë katalanas pro-pavarësisë ishin paralajmëruar se telefonat e tyre celularë ishin shënjestruar duke përdorur spyware.

Skandali është intensifikuar gjatë javëve të fundit pasi ekspertët e sigurisë kibernetike në Citizen Lab në Universitetin e Torntos thanë se të paktën 63 persona të lidhur me lëvizjen për pavarësinë e Katalonjës ishin vënë në cak ose prekur me spyware Pegasus midis vitit 2017 dhe 2020.

Gjithashtu doli se telefonat celularë të kryeministrit Pedro Sanchez, ministres së Mbrojtjes, Margarita Robles, dhe ministri të Brendshëm, Fernanrdo Grande-Marlaska, iu nënshtruan shënjestrimeve “të paligjshme” dhe “të jashtme”, duke përdorur Pegasus vitin e kaluar. Qeveria spanjolle nuk ka komentuar se cili shtet i huaj mund të ketë qenë përgjegjës.

Javën e kaluar, Esteban thuhet se konfirmoi në një komitet të kongresit se 18 anëtarë të lëvizjes për pavarësinë e Katalonjës – përfshirë presidentin aktual rajonal katalanas, Pere Aragones – u spiunuan me miratim gjyqësor nga qendra e inteligjencës kombëtare të Spanjës (CNI).