Shkalla e papunësisë në eurozonë në qershor ka qenë 6,6 për qind, në BE gjashtë për qind
Shkalla e papunësisë në eurozonë në qershor ka qenë 6,6 për qind, si dhe në maj, kumtoi sot shërbimi statistikor i Bashkimit Evropian, Eurostat.
Papunësia në BE po ashtu ka mbetur e pandryshuar në bazë mujore në qershor dhe ka qenë 6,0 për qind.
Sipas të dhënave të ueb-faqes së Eurostatit, në qershor në BE ka pasur 12,93 milionë gra dhe burra të papunësuar, në krahasim me 12,95 milionë në maj. Prej tyre, numri i të papunësuarve në eurozonë ka qenë 10,92 milionë, që është rritje e butë në krahasim me 10,90 milionë persona të papunësuar në maj.
Shkalla më e ulët e të papunësuarve në qershor u shënua në Çeki (2,4%), Poloni (2,7%) dhe Gjermani (2,8%), ndërsa më e lartë në Spanjë (12,6%) dhe Greqi (12,3%).

