Shilegov: Pse Danella Arsovska turpërohet të tregojë se është nga radhët e VMRO-së?

Shkup, 30 gusht – Kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov në konferencën e sotme për media ka folur për kundërkandidatët e tij në zgjedhjet e tetorit, informon Zhurnal.
Ai shfrytëzoi rastin që të dërgojë kritika drejt VMRO-DPMNE-së, parti e cila gjatë kohë ka patur kryetarë komune në kryeqytet.
“Më vjen keq që VMRO-DPMNE nënvlerëson shkupjanët. Ata krijojnë devijime dhe janë të vetëdijshëm se nuk mund të dalin para qytetarëve me kandidat të tyre. Pse Arsovska turpërohet të tregojë se është nga VMRO-DPMNE. Keqpërdorimi i tillë i kandidatëve të pavarur mund të shkatërrojë shoqërinë”, shprehet Shilegov.
Shilegov gjithashtu pret mbështetje serioze nga shkupjanët për atë që ka bërë në katër vitet e fundit.
Ai u shpreh se ka punuar madje edhe në kushte të pandemisë dhe deri tani janë realizuar disa projekte sikurse: katër bulevare, një urë e përfunduar, një e filluar, punohet në bulevarin në Momin Potok, si dhe ka asfaltuar dhjetëra rrugë e bulevare në vendbanime të ndryshme të Shkupit.
Sipas tij, Shkupit i nevojiten njerëz të cilët do të vazhdojnë me projekte dhe jo njerëz të cilët do të duhet nga fillimi të mësojnë si udhëhiqen institucionet./Zhurnal.mk