Shenja në dy gjuhë në uniformat e policisë

Shkup, 15 mars – Në Shkup dhe në komunat në të cilat ka të paktën 20 për qind të qytetarëve që flasin gjuhën zyrtare të ndryshme nga ajo maqedonase, shenjat në uniformat e policisë do të shënohen në gjuhën maqedonase dhe në alfabetin e saj cirilik, si dhe në gjuhën të cilën e flasin dhe shkruajnë të paktën 20 për qind e popullatës.

Dekreti për uniformën dhe shenjat në uniformat e policisë është miratuar sonte në mbledhjen e Qeverisë.

“Ky Dekret është miratuar në bazë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, ku sipas nenit 8 paragrafi (3) është konfirmuar se uniformat e policisë në Shkup dhe në komunat në të cilat të paktën 20 për qind e qytetarëve flasin gjuhën zyrtare të ndryshme nga gjuha maqedonase, janë të shkruara në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, si dhe në gjuhën të cilën e flasin të paktën 20 për qind e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe alfabetin e saj”, bëhet e ditur në kumtesën e shërbimit për informim të Qeverisë.

Dekreti hyn në fuqi ditën e tetë nga publikimi në “Gazetën Zyrtare”, ndërsa do të fillojë të zbatohet brenda një viti që nga dita e hyrjes në fuqi.