SHBA e shqetësuar për mbylljen izraelite të organizatave joqeveritare palestineze

Uashingtoni gjatë ditës së djeshme kumtoi se është i “shqetësuar” pasi autoritetet izraelite mbyllën disa organizata joqeveritare palestineze që veprojnë në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Më herët, ushtria izraelite njoftoi se kishte kryer kontrolle gjatë natës në shtatë organizata në qytetin Ramallah të Bregut Perëndimor, ku ndodhet selia e autoriteteve palestineze.

Në tetor, Izraeli kategorizoi gjashtë organizata palestineze si terroriste për shkak të lidhjeve të tyre të dyshuara me grupin militant të majtë Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës, megjithëse publikisht, zyrtarët izraelitë nuk kanë ndarë asnjë provë.

Të gjitha organizatat joqeveritare kanë mohuar çdo lidhje me Frontin Popullor për Çlirimin e Palestinës, të cilin shumë vende perëndimore e kanë cilësuar një grup terrorist.

“Jemi të shqetësuar për mbylljen e sotme të gjashtë zyrave të organizatave joqeveritare palestineze në dhe rreth Ramallah nga forcat izraelite të sigurisë, nënvizoi zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Prajs në një konferencë për shtyp.

Siç vuri në dukje Prajs, nuk ka pasur asnjë ndryshim në “pozitën apo qasjen tonë ndaj atyre organizatave”. Ai shtoi se Uashingtoni nuk financon asnjë prej tyre.

“Në muajt e kaluar nuk kemi parë asgjë që do të ndryshonte qëndrimin tonë, shpjegoi Prajs.

Sipas tij, zyrtarët amerikanë kontaktuan homologët izraelitë “në një nivel të lartë” për të marrë informacion shtesë, të cilin Izraeli premtoi t’i jepte.

Në organizatën e shtatë të sulmuar nga Izraeli dje, Sindikata e Punëtorëve të Shëndetësisë, u ndalua nga vendi të punonte në Bregun Perëndimor në vitin 2020.